LIVE

Albanian PostRedaksia

Kusari-Lila: Haxhiu, tri herë më shumë vota se Haradinaj, 30 mijë më shumë se Krasniqi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të tretë të Albulena Haxhiut për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, ua ka rikujtuar subjekteve politike se Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ajo ka bërë krahasime mes rezultateve të Haxhiut dhe disa prej figurave kryesore të opozitës së djeshme.

“Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit, me rreth 125 mijë vota – tri herë më shumë se Ramush Haradinaj dhe dy herë më shumë se i gjithë grupi parlamentar i AAK-së. Pesha e saj politike dhe legjitimiteti për të qenë kryetare e Kuvendit janë të pakontestueshme. Krahasuar me Memli Krasniqin, ajo ka 30 mijë vota më shumë”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila
Albanian PostRedaksia

Haradinaj: Situatë jo e mirë për Kosovën, duhet të shqyrtojmë hapat e radhës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të analizojnë se si të veprojnë më tutje, pasi situata aktuale nuk është e mirë për Kosovën.

“Nëse Vetëvendosje nuk gjen një zgjidhje tjetër, do të shohim se si do të ecim përpara. Megjithatë, do të ishte në interesin e tyre që të propozojnë një kandidaturë unifikuese dhe të tejkalohet ky bllokim. Nuk është një gjendje e mirë të mbahet Kosova në këtë situatë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se qëndrimi i AAK-së ndaj kandidates aktuale mbetet negativ, por theksoi nevojën për reflektim:

“Nuk e di për besë. Qëndrimi ynë rreth saj mbetet ‘jo’, por situata është jo e mirë dhe ne duhet të shqyrtojmë si të veprojmë më tutje”.

Haradinaj theksoi se AAK-ja mbetet e përkushtuar për një qeveri të udhëhequr nga opozita, por njëkohësisht është e interesuar edhe për konstituimin e Kuvendit.

“Jemi për një qeveri të opozitës, por jemi po ashtu të interesuar për konstituimin e Kuvendit, ashtu siç kemi qenë të interesuar që të kalojë edhe bllokada për votën e prezencës. Jemi të interesuar që të tejkalohet edhe kjo situatë”,  u shpreh ai.

I pyetur nëse AAK-ja do ta mbështesë kandidaturën e Fatmir Limajt për kryetar të Kuvendit, Haradinaj u përgjigj shkurt, “nuk besoj që e merr votën e Aleancës”.

Albanian PostRedaksia

Mos-konstituimi i Kuvendit, Limaj: Lojë nervash

Si një “lojë nervash” e ka cilësuar deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mos kosntituimin e serishëm të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij çdoherë konstituimi i Kuvendit të Kosovës i ka pasur “vështirësitë e veta”.

“Unë besoj që në ditët në vijim të gjithë do të angazhohen dhe të kontribuojnë që të dalim nga kjo situatë dhe Kosova t’i fitojë institucionet e veta. Kosova nuk e ka luksin të mbesë pa institucione”, ka potencuar ai.

Limaj ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka takuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

“Jo, jo bre jo se marrova t’u ju thanë”, shtoi ai.

Albanian PostRedaksia

Murati: Opozita e painteresuar për konstituimin e Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, sërish ka akuzuar subjektet e tjera politike për bllokim të konstituimit të Kuvendit, pas dështimit të pestë.

Sipas tij, ata po e bllokojnë edhe partinë që mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit që të zhbllokojnë këtë proces të rëndësishëm.

“Ka disa kundërthënie dhe paradokse në lidhje me sjelljen e deputetëve të opozitës. Sapo dëgjuam deputeten Bajrami, e cila tha se duhen marrëveshje politike, por dy minuta më herët tha se ata nuk janë të gatshëm për të bërë marrëveshje të tilla”.

“Kjo është sjellja që mund të përkufizohet në një fjali për opozitën aktuale. Ata janë totalisht të painteresuar për konstituimin e Kuvendit dhe për zhbllokimin e procesit. Ata e bllokojnë dhe nuk duan që të hapin rrugën për të tjerët që të mund të zhbllokojnë situatën”.

Ai tha se s’mund të pranojnë propozime nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për emra sa i përket pozitës së kryetarit të Kuvendit.

“Nuk mund të marrim propozime nga partitë që janë të katërta me radhë. Propozimi është Albulena Haxhiu. Nëse fillojmë të hyjmë në një rreth kontestimi të kandidatëve të njëri-tjetrit, atëherë edhe ne do të kontestojmë kandidatin e LDK-së, kandidatin e PDK-së, për nënkryetarë, e kështu me radhë, dhe Kuvendi nuk do të konstituohet kurrë”.