Pajisje

Lituania: Thirrje qytetarëve të heqin dorë nga telefonat kinezë


Në Lituani, Ministria e Mbrojtjes ka rekomanduar që konsumatorët të shmangin blerjen e celularëve kinezë dhe i ka këshilluar njerëzit që t’i hedhin ata që disponojnë aktualisht.

Kjo pasi një raport i qeverisë ka zbuluar se pajisjet kishin aftësi të integruara të censurës.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se telefonat kryesorë të shitur në Evropë nga Xiaomi Corp kanë një aftësi të integruar për të zbuluar dhe censuruar terma të tillë si “rroftë pavarësia e Tajvanit” ose “lëvizja e demokracisë”, ka thënë organi shtetëror i sigurisë në internet.

Për rajonin e Bashkimit Evropian, aftësia në software-in e telefonit Mi 10T 5G të Xiaomi-t ishte çaktivizuar, por mund të ndizet nga distanca në çdo kohë, ka treguar qendra kombëtare e sigurisë kibernetike e ministrisë në raport.

“Rekomandimi ynë është që të mos blini telefona të rinj kinezë dhe të hiqni qafe ato që janë blerë sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë zëvendësministri i mbrojtjes, Margiris Abukevicius.

“The Guardian” tregon se kohët e fundit, marrëdhëniet midis Lituanisë dhe Kinës janë acaruar.

Muajin e kaluar, Kina ka kërkuar që Lituania të tërhiqte ambasadorin e saj në Pekin dhe ka thënë se do të tërhiqte të dërguarin e saj në Vilnius, pasi Tajvani njoftoi se misioni i vet në Lituani do të quhej Zyra Përfaqësuese e Tajvanit.

Në Evropë dhe SHBA, misionet tajvaneze përdorin emrin e qytetit Taipei, duke shmangur një referencë për vetë ishullin, të cilin Kina e pretendon si territor të vetin.

Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare të presidentit amerikan, Joe Biden, ka folur me kryeministren e Lituanisë, Ingrida onimonytė, javën e kaluar dhe ka theksuar mbështetjen për vendin përballë presionit nga Kina.

Nga ana tjetër, raporti i qendrës kibernetike kombëtare ka nxjerrë se telefoni Xiaomi po dërgonte të dhëna të koduara të përdorimit të telefonit në një server në Singapor.

Sipas raportit, lista e termave që mund të censurohen nga aplikacionet e sistemit të telefonit Xiaomi, përfshirë shfletuesin e paracaktuar të internetit, aktualisht përfshin 449 terma në gjuhën kineze dhe se azhurnohet vazhdimisht.

“Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Lituaninë, por për të gjitha vendet që përdorin pajisje Xiaomi”, ka theksuar qendra në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore