Lajme

Lituania i paguan 100 mijë euro dëmshpërblim Abu Zubaydah-ut për torturat nga CIA


Lituania i ka paguar më shumë se 110 mijë dollarë Abu Zubaydah-it, të burgosurit të Guantanamos, i njohur si “i burgosuri i përjetshëm”, si kompensim për lejimin që i dha Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për ta mbajtur atë në një vend sekret jashtë Vilnius-it.

Aty ai iu nënshtrua formave të ndryshme të torturës.

Pagesa prej 100 mijë euro (113 mijë e 500 dollarë) vjen më shumë se tre vjet pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut urdhëroi qeverinë lituaneze të paguajë kompensim për shkeljen e ligjeve evropiane që ndalojnë përdorimin e torturës.

Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm në trajtimin e Zubaydah-it, i cili është ndaluar nga SHBA-të për më shumë se 20 vjet.

Zubaydah u kap në Pakistan, gjashtë muaj pas 11 shtatorit. CIA dhe avokatët e administratës së George Bush-it u përpoqën të justifikonin torturën ndaj tij duke pretenduar se ai ishte një figurë shumë e lartë në grupin e al-Qaida-s.

Për pjesën më të madhe të kohës që nga arrestimi i tij, Zubaydah është mbajtur pa iu lejuar komunikimi me askënd, sipas insistimit të CIA-s. Kjo, si pjesë e përpjekjeve të saj për të parandaluar që detajet e torturës së tij të bëhen publike.

Avokatët e Zubaydah besojnë se ka shumë pak gjasa që Lituania të ketë bërë pagesën e kompensimit pa miratimin e Washington-it.

“Situata është shumë më pak e pakomunikueshme kur i paguani 100 mijë euro dikujt dhe e gjithë bota e di për këtë”, tha Guardian Mark Denbeaux, një nga punonjësit e ekipit ligjor të Zubaydah-it, me studion legale në SHBA.

“Kjo lëvizje është në përputhje me idenë se SHBA-të po zbusin pozicionin e tyre për ndalimin e të burgosurve të përjetshëm. Shtetet e Bashkuara mund ta kishin frenuar Lituaninë të dorëzonin këto parave dhe pyetja është, pse nuk e bënë?”.

Lajmi për pagesën nga ana e Lituanisë vjen vetëm disa ditë përpara 20-vjetorit të burgut ushtarak në Guantanamo, i cili priti të paraburgosurit e tij më 11 janar 2002.

Në muajt e fundit ka pasur shenja të tjera të një ndryshimi të qëndrimit ndaj Zubaydah dhe torturës që iu bë nga agjentët dhe kontraktorët e CIA-s.

Në tetor, gjykata supreme amerikane dëgjoi argumentet në një rast në të cilin qeveria amerikane po kërkon të bllokojë dy kontraktorë të CIA-s që të dëshmojnë në Poloni rreth torturave që Zubaydah pësoi në 2002 dhe 2003 në një vend sekret.

Gjatë seancës, disa nga gjyqtarët, përfshirë konservatorët, thyen një tabu ligjore duke përdorur hapur fjalën “torturë”.

Në çështjen e Zubaydah-it kundër Lituanisë, e cila u drejtua në anën evropiane nga avokatja e tij Helen Duffy, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dëgjoi se Zubaydah ishte mbajtur në një vend të errët të CIA-s nga shkurti 2005 deri në mars 2006.

Format më brutale të torturave të duruara nga Zubaydah ndodhën në vitin 2002.

Një program i tërë torture, i cilësuar në mënyrë eufemistike nga CIA si “teknika të përmirësuara të marrjes në pyetje”, u hartua për të burgosurin nga dy psikologë me kontratë me agjencinë.

Zubaydah u hodh në ujë, një lloj mbytjeje e kontrolluar, të paktën 83 herë në gusht 2002, si dhe u vendos në një kuti sa një arkivol për ditë të tëra.

Gjyqtarët evropianë dëgjuan se Zubaydah nuk kishte gjasa të kishte vuajtur nga format më të ashpra të torturës gjatë qëndrimit në Lituani. Ai iu nënshtrua teknikave, që ende përbënin torturë, argumentuan avokatët, duke përfshirë privimin ndijor dhe gjumin, izolimin, zhurmën e lartë dhe dritën e fortë.

Paratë e transferuara nga Lituania tani janë në një llogari bankare. Zubaydah nuk është në gjendje të marrë shumën, për shkak të paraburgimit të tij në Guantanamo dhe për shkak se pasuritë e tij janë ngrirë nga thesari i SHBA-ve.

Një ngrirje e ngjashme e aseteve të tij nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u anulua dy vjet më parë, pas një peticioni nga avokatët e tij.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore