Kosova

Lista Serbe: “Të shtënat e sotme janë shembull i sjelljes arrogante të Policisë së Kurtit në Veri”


Udhëheqësit e Listës Serbe.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka reaguar pasi që Policia e Kosovës, këtë të shtune, është detyruar të përdorë armët në Veri të Kosovës meqë një person i cili dyshohej se posedonte lëndë narkotike në veturë nuk është ndaluar pasi është sinjalizuar nga patrulla policore.

Përmes një njoftimi, të dirigjuarit e Beogradit kanë thënë se e “dënojmë fuqishëm përdorimin e sotëm të armëve të zjarrit nga policët e Kosovës në pjesën e dendur të populluar të Mitrovicës gjatë ndjekjes së një automjeti nëpër rrugët e qytetit tonë, si rezultat i së cilës siguria e familjeve serbe që ndodheshin në në rrugë dhe në shtëpitë e tyre familjare u kërcënuar më drejtpërdrejt”.

“Tridhjetë plumba të shkrepura nga policët e Kosovës përfunduan në dritaret e dhomave të fëmijëve dhe dhomave të banimit të shtëpive familjare, shkatërruan fasadat e ndërtesave dhe shkaktuan frikë e ankth tek qytetarët tanë”, pretenduan ata.

“Për të mos pasur konfuzion”, vazhduan ata, “absolutisht nuk mbështesim askënd që kryen vepra penale, por gjithashtu kërkojmë që në punën e policëve të respektohen rregullat për zbatimin e punës së policisë, të cilat tregojnë qartë se nuk lejohet të rrezikohet jeta e qytetarëve dhe fëmijëve”.

Nga kjo parti që dirigjohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pretenduan se përdorimi i armëve të zjarrit “mund të kishte sjellë si pasojë vuajtjen e njerëzve të pafajshëm, sepse armët e zjarrit përdoreshin në mes të ditës, kur në trotuare kishte dhjetëra qytetarë që kishin dalë për shëtitje me fëmijët e tyre”.

“Të shtënat e sotme janë edhe shembull i sjelljes arrogante të policisë së (Albin) Kurtit në Veri të Kosovës, e cila duhet të dënohet si nga inspektorati policor ashtu edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë”, shtuan.

Ndërkaq, Lista Serbe ka potencuar se arrestimi i autorit të veprës penale “nuk mund të jetë arsyetim për rrezikimin e jetës së qytetarëve dhe fëmijëve të tyre dhe kjo duhet të dënohet qartë”.

“Oficerët e policisë duhet të jenë shembuj që i binden ligjit, jo sherifë kryelartë nga filmat me kauboj”, moralizuan nga partia që dirigjohet nga Beogradi.

Ndryshe, Policia e Kosovës, këtë të shtunë, është detyruar të përdorë armët në Veri të Kosovës meqë një person i cili dyshohej se posedonte lëndë narkotike në veturë nuk është ndaluar pasi është sinjalizuar nga patrulla policore.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut,të shtunën rreth mesditës.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i dyshuar ka arritur të arratiset ndërsa ka goditur veturën e Policisë së Kosovës dhe një pjesëtar të saj.

“Pati të shtëna, askush nuk është arrestuar, policia ka konfiskuar veturën e të dyshuarit. Disa predha kanë përfunduar në fasadat e objekteve përreth”.

Sipas Elshanit, gjatë aksionit, është lënduar një zyrtar policor.

“Personi i dyshuar ka lënë veturën në vend të ngjarjes dhe ka ikur në këmbë. Kemi informacione për të dyshuarin”, ka potencuar Elshani.

Në veturë është gjetur lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë 1,5 deri në 2 kilogramë.
Njësitet policore, përfshirë zyrtarë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik kane dalë në vendin e ngjarjes.
Policia janë duke e trajtuar rastin dhe në koordinim me organet e drejtësisë do të ndermirën veprimet për të zbardhur këtë rast dhe arrestuar personin e dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore