Kosova

Lista Serbe takon shefin e ri të BE-së në Kosovë: “Qëllimi i Kurtit është dëbimi i serbëve”


Ilustrim

Përfaqësues të Listës Serbe, të prirë nga kryetari i saj, Zlatan Elek, kanë takuar të enjten shefin e ri të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, të cilit u janë ankuar për veprimet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, duke thënë se gjoja se ka për qëllim “dëbimin” e serbëve nga Kosova.

Në një njoftim për media, nga partia që dirigjohet nga Beogradi zyrtar kanë theksuar se në takim u prezantua “pozita e vështirë e popullit serb”, i cili, siç pretendojnë ata, “çdo ditë vuan nga represioni i regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i dukshëm i të cilit është dëbimi i popullit serb nga këto vise”.

“U theksua se dhuna institucionale ushtrohet edhe ndaj rinisë serbe, dhe se veprimet e inskenuara politike kundër të perceptuarve serbë janë bërë mjet për bullizëm dhe presion ndaj gjithë shoqërisë serbe”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kanë kërkuar përfshirje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, “deeskalim të situatës në Veri dhe veprime konkrete të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e popullit serb”.

“Çelësi i problemeve të serbëve qëndron në respektimin e të drejtave të popullit tonë, por edhe të marrëveshjeve të nënshkruara, garantues i të cilave është Bashkimi Evropian”, theksohet.

Sipas tyre, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe “është vonuar për më shumë se 11 vjet” dhe se kjo, pretendojnë nga kjo parti, “është shkaku i shumë problemeve me të cilat ballafaqohemi sot në Kosovë”.

Po ashtu, përfaqësuesit e partisë që dirigjohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë kërkuar që BE-ja “të marrë një qëndrim të qartë në dënimin e sjelljes së regjimit në Prishtinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore