Kosova

Lista Serbe takohet me Escobar-in, propagandojnë për “persekutim” të serbëve


Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.

Ashtu edhe siç pritej, përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – me në krye kryetarin e saj, Zlatan Elek, gjatë takimit me të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i janë ankuar për gjoja se Qeveria e Kosovës po i “persekuton” serbët.

Lajmi për këtë takim që u mbajt në Prishtinë në kuadër të vizitës së Escobar-it në Kosovë u bë i ditur nga vetë Lista Serbe – të dirigjuarit e Beogradit – përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

“Në takim u bisedua për problemet e popullit serb në Kosovë, me theks të veçantë për lëvizjet e njëanshme të Qeverisë në Prishtinë, të cilat kërcënojnë mbijetesën e popullit serb”, propaganduan ata në takim me top-diplomatin amerikan.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan nevojën për një reagim urgjent dhe vendimtar për të parandaluar eksodin e popullit serb të cilit i kërcënohen të drejtat themelore të njeriut me vendimet e institucioneve të Kosovës”, pretenduan nga kjo listë.

“Vendimi për ndalimin e dinarëve dhe shfuqizimin e transaksioneve të pagesave 25 vjet pas konfliktit, militarizimin e komunave me shumicë serbe, ndalimin e tregtisë së mallrave me Serbinë qendrore, futjen me forcë të kryetarëve pa legjitimitet në ndërtesat komunale në veri, por edhe persekutimi institucional i serbëve dhe konfiskimi i pronës së qytetarëve tanë, si dhe rrezikimi i funksionimit dhe mbijetesës së Kishës Ortodokse Serbe në këto zona kërkojnë një reagim të fortë, energjik dhe urgjent nga bota demokratike”, kanë pretenduar nga partia që dirigjohet nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Me Escobar-in është takuar edhe një përfaqësues tjetër i serbëve të Kosovës, konkretisht Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç.

Sipas njoftimit për media të lëshuar nga kjo parti, Jabllanoviç e ka njoftuar Escobarin gjoja në detaje për gjendjen “e vështirë dhe të padurueshme në të cilën ndodhet populli serb në Kosovë”.

“Kjo situatë është në radhë të parë rezultat i politikës anti-serbe të Qeverisë së Kosovës dhe Albin Kurtit. Lëvizjet që serbët presin nga partnerët e tyre nga Uashingtoni duhet të jenë konkrete, të shpejta dhe efikase”, kanë propaganduar nga kjo parti.

“Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të rivendoset siguria për serbët dhe të parandalohet eksodi dhe shpopullimi i mëtejmë i serbëve të kryer nga Qeveria”.

Jabllanoviç pretendon te Escobar për politikë “anti-serbe” të Kurtit: Të parandalohet eksodi i serbëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore