Lista Serbe: Me 1 qershor priteni përgjigjen, do reagojmë me të gjitha mjetet

Valon Rashiti
19.05.2023 12:50
Loading Icons...

Pas betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, Lista Serbe ka paralajmëruar se më datën 1 qershor do përgjigjen dhe do reagojmë me të gjitha mjetet.

“Nëse këto dhe veprime të ngjashme vazhdojnë, më 1 qershor do të vijë një përgjigje vendimtare nga populli serb. Ne do ta mbrojmë të drejtën e serbëve për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat e tyre me të gjitha mjetet”, tha nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç gjatë një konference për media.

Ai ka shtuar se “represioni i kryer nga regjimi i Albin Kurtit është diçka që ne nuk mund ta durojmë”.

“Afati i 1 qershorit është dhënë edhe një herë si hapësirë ​​para së gjithash për Albin Kurtin dhe Prishtinën, por edhe për përfaqësuesit e QUINT-it”, shtoi ai.

“Ne jemi të vendosur për paqe, i kemi thirrur të gjithë për paqe. Vendimi për t’u larguar nga institucionet erdhi si reagim ndaj represionit. Nuk ishte vetëm Lista Serbe që i la ata, por të gjithë serbët që kanë punuar në institucionet e Kosovës. Lista Serbe do të jetë gjithmonë me popullin e saj, si partia më e fortë politike serbe në veri të Kosovës”, potencoi ai.

Simiç pohoi se zgjedhjet e fundit lokale për popullin serb dhe Listën Serbe janë të pavlefshme dhe jo legjitime.

“Nuk do t’u japim legjitimitet njerëzve që u zgjodhën me 100 vota”.

I pyetur për vendosjen e flamurit të Kosovës në ndërtesën e komunës në veri të Mitrovicës, Simiç tha se nuk e kishte parë atë.

“Nuk e kam parë, por nëse keni ardhur këtu mund të shijoni pamjen e qindra flamujve serbë”.

Të fundit

Aktuale