Kosova

Lista Serbe: Kurti po dëshiron ta destabilizojë vendin


Lista Serbe përmes një reagimi për media e kanë akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kinse ky i fundit “po dëshiron ta destabilizojë vendin”.

Ky reagim i Listës Serbe vije pasi kryeqeveritari Kurti gjatë një konference për media ka theksuar se ata që janë në listën e zezë të SHBA-së kanë interes për të destabilizuar rajonin, duke iu referuar nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç.

Por, për Listën Serbe, “me lëvizjet e njëanshme, Albin Kurti po synon të marrë poenë të lirë politikë, duke provokuar popullin duarthatë serb dhe në këtë mënyrë është i vetmi që kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë rajon, i vetëdijshëm se nuk është në gjendje të përmirësojë jetën e shqiptarëve, e as të përmbushë ndonjë premtim të vetëm të fushatës”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

“Duhet theksuar se shembujt e qëllimeve të liga të Kurtit janë të panumërta. Një seri incidentesh dhe shembujsh të dhunës institucionale që përmbyten me keqpërdorim të autoritetit, aplikim të tepruar, joproporcional të forcës brutale ndaj qytetarëve duarthatë serbë, të cilët janë pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës si në veri, ashtu edhe në jug që kalojnë javë të tëra janë dëshmia më e mirë se Kurti dëshiron të krijojë kushte të tilla që serbët të largohen nga habitatet e tyre shekullore”.

Në reagim thuhet po ashtu se në rrugën drejt realizimit të planit të tij, Kurti e kupton se kundërshtari është nënkryetari Radoiçiç dhe Lista Serbe që i mbledh të gjithë serbët nën një flamur.

“Prandaj nuk është për t’u habitur që më të mirët prej nesh dëbohen me akuza të rreme që serbëve t’u presin kokat, kurse Kurti pushtoi veriun pa asnjë shqetësim”.

Ndryshe, Kurti gjatë një konferencë për media këtë mërkure, ka potencuar se “ata që duan destabilizim, ata nuk duan sundim të ligjit”, derisa ka shtuar se atje policia po ndërmerr aksione e po e lufton krimin e organizuar.

Ka pohuar se është shqetësuese që Beogradi zyrtar u jep përkrahje strukturave kriminale në Veri, por ka thënë se Brukseli tashmë është në dijeni.

Muajin e kaluar, përmes një video-mesazhi, Milan Radojçiç, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, është lajmëruar nga veriu i Kosovës, konkretisht nga Leposaviqi.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiç.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore