Kosova

Lista Serbe kërkon shtimin e prezencës së KFOR-it në Veri


Ilustrim

Lista Serbe, nëpërmjet një komunikate për media, të shtunën ka njoftuar se ka pasur takime me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë, me zëvendës-komandantin e KFOR-it, Federico Bernacca dhe shefen e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh.

Takimi në fjalë ka ardhur një ditë pas aksionit të autoriteteve kosovare ku u mbyllën 5 institucione paralele të Serbisë në Veri.

Për këtë arsye, Lista Serbe, siç njofton kjo parti, ka kërkuar nga ndërkombëtare prani më të madhe të forcave të KFOR-it në Veri për siç kanë pretenduar ata “mbrojtjen e popullatës serbe nga Qeveria e Kosovës”.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan nevojën për veprim urgjent të përfaqësuesve ndërkombëtarë, kthimin në gjendjen e mëparshme dhe parandalimin e lëvizjeve të reja të njëanshme të drejtuara nga Albin Kurti që po dëbojnë serbët nga Kosova”, thuhet në komunikatë për media.

Aksioni i autoriteteve kosovare të premten e 30 gushtit, sipas pretendimeve të Listës Serbe, ka rrezikuar drejtpërdrejtë “punën e mijëra serbëve”.

Në takim, siç thuhet në komunikatë, Lista Serbe ka kërkuar nga ndërkombëtarë që ta ndalojnë synimet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve me pretekstin se një gjë e tillë “mund të përkeqësojë më tej situatën e brishtë të sigurisë”.

“Posaçërisht theksuam se populli serb është i vendosur për paqen dhe kthimin në dialog për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura në mënyrë demokratike dhe civilizuese dhe jo me përdorimin brutal të forcës dhe veprimin e njëanshëm të regjimit në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore