Kosova

Lista Serbe kërkon nga SHBA-të një përfshirje më të madhe në mbrojtjen e të drejtave të serbëve


Lista Serbe me Jeffrey Hovenier

Disa nga zyrtarë e Listës Serbe, të premten, kanë takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku nga ky i fundit kanë kërkuar që SHBA-të “të përfshihen edhe më shumë në mbrojtjen e të drejtave të serbëve”.

Nëpërmjet një komunikate për media, Lista Serbe, ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për pozitën dhe problemet e popullit serb në Kosovë.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan pozitën jashtëzakonisht të vështirë të popullit serb dhe theksuan se si lëvizjet e njëanshme të ‘regjimit’ në Prishtinë i zmbrapsën marrëdhëniet ndëretnike dhe e vendosën popullin serb në pozitën më të vështirë që nga viti 1999”, thuhet në komunikatën për media.

Ndër të tjera gjatë takimit Lista Serbe ka kërkuar që SHBA-të “të përfshihen edhe më shumë për të mbrojtur të drejtat e popullit serb, për të parandaluar lëvizjet e njëanshme dhe për të respektuar marrëveshjet e nënshkruara që garantojnë të drejtat e popullit serb”.

Të njëjtën kërkesë ndaj SHBA-ve parashtroi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim me komandantin e Gardës Kombëtare të Ohajos, gjeneralmajor John Harris.

Vuçiç, siç njoftoi vetë ai nëpërmjet një postimi në platformën sociale Facebook, kërkoi nga Harris një mbështetje më të fuqishme të SHBA-ve për mbrojtjen e serbëve dhe sigurimin e të drejtave të tyre në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore