Kampionate

Lista e Sylvinho-s për Euro 2024, si paraqitet situata në prapavijë


Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, shpalli pasditen e të hënës listën provizore me 27 lojtarë të ftuar për Euro 2024. Lista e përfundimtare do të shpallet para datës 7 qershor, e cila duhet të përmbajë 23-26 lojtarë.

Braziliani surprizoi jo pak teksa shpalli listën e tij. Sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni, Keidi Bare dhe Arbnor Muja mbetën jashtë 27 lojtarëve të thirrur.

Ndërkohë, Rey Manaj, Arbër Hoxha, Armando Broja, Medon Berisha, Amir Abrashi, Naser Aliji, Marash Kumbulla dhe Simon Simoni ishin ardhjet e reja, të cilet nuk patën aspak ndikim gjatë fushatës kualifikuese për Euro 2024.

Sylvinho ka ftuar aktualisht katër portierë dhe nëntë mbrojtës. Por, si paraqitet situata në prapavijën e kuqezinjëve? A kanë mungesë minutash me klubet e tyre? Si ka qenë sezoni me klubet përkatëse?

Situata e portierëve

Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, në dukje, do të luftojnë për fanellën e titullarit.

Lojtari i Empoli-t ka bërë 14 paraqitje në Serie A këtë sezon, më të fundit që vjen në dhjetor të vitit të kaluar.

Në krahun tjetër, portieri i Brentford-it ka bërë dy paraqitje në Premier League dhe dy në FA Cup. Minutat e tij në ligën e lartë angleze kanë ardhur, përkatësisht 90’ në tetor, dhe 45’ në nëntor. Në FA Cup ka zhvilluar dy ndeshje, përkatësisht 90’ dhe 120’ në janar të këtij viti.

Simoni nuk ka marrë asnjë minut me ekipin e parë të Eintracht Frankfurt-it këtë sezon. Ai ka zhvilluar 14 paraqitje me ekipin e dytë në nivelin e katërt të futbollit gjerman. Sezoni i tij është shoqëruar edhe nga dëmtimet.

Elhan Kastrati është portieri me më shumë minuta këtë sezon. Gardiani i Cittadella-s në Serie B ka zhvilluar 35 ndeshje në kampionat dhe një në Kupën e Italisë, duke e mbajtur portën të paprekur në 10 raste.

Përsa i përketë notave për sezonin e tyre në ligat e larta, sipas “Sofascore”, Strakosha vlerësohet me 7.4, Berisha me 7.09 dhe Kastrati me 7.01.

Situata e mbrojtësve

Berat Gjimshiti, Naser Aliji, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Enea Mihaj dhe Mario Mitaj janë mbrojtësit e thirrur nga Sylvinho.

Nëse marrim parasysh formacionet e mëparshme të trajnerit, ai preferon një katërshe me Hysaj – Ismajli – Gjimshiti – Mitaj.

Kapiteni kuqezi, Gjimshiti, ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Shqipërisë gjatë kualifikueseve të Euro 2024, por edhe për ekipin e tij, Atalanta-n.

Mbrojtësi ka qenë një nga pikat kyçe të ekipit të Gian Piero Gasperini-t në rrugëtimin e tyre drejt finalës së Kupës së Italisë (humbje ndaj Juventus-it) dhe më pas triumfit në Europa League përballë Bayer Leverkusen-it.

Gjimshiti ka luajtur 53 ndeshje këtë sezon mes Serie A, Europa League dhe Kupës së Italisë duke arritur edhe një gol dhe një asistim.

Ismajli është paraqitur në 27 takime mes Serie A dhe Kupës së Italisë. Kryesisht mungesat e tij për ekipin janë për shkak dëmtimi. Megjithatë, ai ka pasur vlerësime të kënaqëshme në shumicën e rasteve kur ishte në fushë.

Hysaj këtë sezon është paraqitur në 31 takime me Lazio-n mes Serie A, Champions League, Kupës dhe Superkupës së Italisë. Një pjesë të mirë të ndeshjeve, shkodrani e ka kaluar në stol për shkak të zgjedhjeve teknike të trajnerit.

Mitaj ka zhvilluar 27 ndeshje për Lokomotivën e Moskës, mes Premier Liga dhe Russian Cup. Në disa ndeshje, mbrojtësi i majtë është ulur në stol, teksa nuk kanë munguar edhe mos grumbullimet.

Aliji ka zhvilluar 25 ndeshje me Voluntari-n në Rumani mes kampionatit dhe kupës vendase. Ai ka arritur dy asistime. Sezoni i tij është shoqëruar me dëmtime.

Mihaj ka bërë 18 paraqitje me Famalicao-n në ligën e lartë portugeze. Në shumicën e rasteve ai ka qenë jashtë ekipit këtë sezon, kryesisht për shkak të dëmtimeve.

Ajeti ka zhvilluar 25 ndeshje në total me CFR Cluj mes Superligës rumune, Kupës së Rumanisë dhe kualifikueseve të Conference League. Ai ka shënuar tre gola. Sezoni i tij është ndikuar nga dëmtimet.

Kumbulla është kthyer vetëm së fundmi në formën e plotë fizike. Kujtojmë se qendërmbrojtësi qëndroi jashtë fushave për një periudhë të gjatë pas një dëmtimi (ACL) të marrë teksa luante me Roma-n.

Marashi këtë sezon ka bërë shtatë paraqitje, të githa të ardhura së fundmi teksa aktivizohej me Sassuolo-n në Serie A.

Balliu është një nga lojtarët që ka luajtur rregullisht për ekipin e tij, Rayo Vallecano. 33-vjeçari ka zhvilluar 33 ndeshje në La Liga, duke arritur një asistim.

Për paraqitjet e tij në Serie A, Gjimshiti është vlerësuar me notën 7. Ndërsa, në Europa League ai është paksa më i lartë, 7.23. Në këtë të fundit, ai u zgjodh edhe në formacionin më të mirë të vitit.

Vlerësimi i Hysajt në Serie A është 6.66. Mario Mitaj në Premier Liga 6.80. Ismajli në Serie A 6.85.

Ajeti vlerësohet me notën 7.12 për paraqitjet me CFR Cluj në Superligën rumune. Po në të njëjtin kampionat, Aliji vlerësohet me 6.78.

Mihaj, për paraqitjet në ligën e lartë portugeze vlerësohet me 7.02. Ndërsa, Balliu në La Liga vlerësohet me 6.82. Kumbulla në Serie A vlerësohet me 6.47.

Sylvinho publikon listën e Kombëtares për Euro 2024 – Uzuni, Cikalleshi e Muja jashtë evropianit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore