Kosova

Lirohet nga paraburgimi ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi


Ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Ish kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet nga organet e drejtësisë për korrupsion është liruar nga paraburgimi.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për tju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë”, ka thënë Gashi për AP.

Për çfarë akuzohet Nagip Krasniqi?

Më 19 prill, ish-drejtoi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Ndërkaq Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me efekt të menjëhershëm vendosi për pezullimin e Krasniqit nga detyra.

Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore