Lirohet ish-polici Pantiç i akuzuar për terrorizëm, thotë Petkoviç

SHFLETO
Valon Rashiti
06.09.2023 17:29
Loading Icons...

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka pretenduar se ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i akuzuar për terrorizëm i është hequr arresti shtëpiak dhe është liruar të mbrohet në liri.

“Pantiç, i cili fillimisht u mbajt nga policia e Kosovës në Jarinje për ditë të tëra pa mjekim dhe kontakt me familjen e tij u transferua në arrest shtëpiak vetëm pas presionit të fortë të serbëve nga Kosova dhe aksionit diplomatik të Beogradit, sot u lirua për tu mbrojtur në liri”, ka shkruar Petkoviç në Twitter.

Albanain Post ka biseduar edhe me zëdhënësen e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashin, por kjo e fundit ka thënë se nuk ka asnjë informacion.

Pantiç u arrestua në dhjetor të vitit 2022, nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë. Gjë që pamundësuan dërgimin e tij nga Policia e Kosovës, në qendër të paraburgimit.

Më pas, meqë policia nuk kalonte dot nëpër barrikada, më 28 dhjetor, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’a zbusë masën e sigurisë ndaj tij, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Në arsyetimin zyrtarë, prokuroria kishte thënë se vendimin e kishte bazuar në aspektin shëndetësor e human, i kishte propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që të pandehurit Pantiç, t’ia ndryshojë masën e sigurisë, “pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati tregtuar se Pantiç u arrestua pasi “organizoi sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.