Gjykata Speciale

Lirohet Fahri Fazliu, por i konfiskohet telefoni


Fahri Fazliu

Fahri Fazliu, nipi i heronjve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bahri e Fahri Fazliu, i cili të mërkurën u ndalua nga policia e EULEX-it nën urdhrat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), para pak çastesh është liruar por i është konfiskuar telefoni, konfirmuan familjarët.

Përkundër se ende nuk dihen arsyet, besohet se arrestimi i tij vjen mbi bazën e marrjes së disa dëshmive shtesë nga ZPS-ja në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës – ashtu sikurse ndodh zakonisht – ku gjykohen ish-eprorët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte.

Për arrestimin e Fazliut reagoi më herët edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Faton Klinaku, i cili, nëpërmjet një postimi në “Facebook” gjatë ditës, tha se në “mungesë të fakteve” për krime lufte, vazhdon “spektalin” e arrestimeve.

“Gjykata ilegale Speciale, në mungesë të fakteve për krime lufte, vazhdon spektaklet e saj duke arrestuar edhe njerëz që në kohën e luftës së UÇK-së ishin fëmijë. Ajo sot ka arrestuar Fahri Fazliun, nipin e heronjve Bahri e Fahri Fazliu, i cili gjatë luftës ishte vetëm 8-vjeçar”, shkroi Klinaku.

Në qershor të vitit 2021, nipi i heronjve të luftës njoftoi se kishte marrë ftesë nga ZPS-së për t’u paraqitur para DHSK-së në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa në shtator të vitit të kaluar, ekipet e EULEX-it dhe ZPS-së kryen një bastisje në banesën e familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore