Lajme

Lirohen nga paraburgimi dy nga të dyshuarit për vrasjen në “Bon Vivant”


Foto nga 4 gushti kur ndodhi vrasja në lokalin "Bon Vivant".

Dy të dyshuarit për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, janë liruar nga masa e paraburgimit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Me kërkesë të Prokurorisë, janë liruar nga masa e paraburgimit dy të dyshuarit, pasi kanë pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, ka thënë Gashi për AP.

Më 5 gusht, pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person ka humbur jetën, kurse kanë mbetur të plagosur shtatë persona, në lokalin “Bon Vivant” që ndodhet në Prishtinë.

Të dyshuar se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, janë; Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”, si dhe Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”.

Pajaziti apo “Italiani”, është kapur nga policia, pasi që i njëjti është plagosur dhe ndodhej në spital, kurse më 28 gusht ai është dërguar në Burgun e Sigurisë në Dyz.

Ndërsa Dukagjin Nikollaj, ka arritur që të shmanget dhe ndodhet në arrati.

Po ashtu, Nikollaj është i kërkuar nga FBI, i dyshuar si pjesë e bandës “Krasniqi Organization”.

Komuna e Prishtinës po synon që përmes krijimit të policisë për kryeqytetin, vendosjen e kamerave dhe kontrolleve më të rrepta, t’i parandalojë incidentet e ngjashme si rasti i 5 gushtit kur në lokalin “Bon Vivant”.

Tashmë në policinë e Kosovës, sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, është hartuar struktura organizative për themelimin e policisë së kryeqytetit.

“Pas rastit tragjik jemi takuar me drejtorin e policisë në Prishtinë, Basri Shabanin, dhe kemi kërkuar edhe në atë takim që të përshpejtohen procedurat për krijimin e policisë së kryeqytetit. Na është thënë se policia e ka miratuar strukturën organizative dhe tash mbetet që ata t’i vazhdojnë procedurat e tyre”, kishte thënë Fushtica për Albanian Post.

Sipas tij, iniciativa për krijimin policisë së kryeqytetit është imperativ i kohës dhe është prioritet i kryetarit Përparim Rama.

Pas rastit në “Bon Vivant” janë përshpejtuar procedurat për krijimin e policisë së Prishtinës, Përparim Rama e ka kthyer në prioritet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore