Kosova

Lirohen nga paraburgimi dy mjekët e dyshuar për marrje të ryshfetit


Janë liruar nga paraburgimi dy mjekët Luan Mustafa dhe Halil Basha, dy mjekët që ishin arrestuar në Spitalin e Gjilanit, të dyshuar për marrje të ryshfetit

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.

“Sa i përket pyetjes tuaj për të pandehurit, Luan Mustafa dhe Halil Basha, me datë 26.05.2023 Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur kërkesë për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 26.05.2023, ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak”, ka thënë Shkoda për AP.

Gjyqtari i çështjes pas pranimit të kërkesës nga ana e prokurorisë dhe pas shikimit me kujdes të shkresave të lëndës, konstatoi se ndaj të pandehurve të lartcekur, duhet të ndërprehet masa e paraburgimit.

Ndërsa me 5 qershor, Prokuroria Themelore në Gjilan, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve në fjalë dhe së shpejti do të vazhdohet me gjykimin e rastit nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Për dy mjekët të cilët u arrestuan më 30 prill, Gjykata Themelore në Gjilan kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.

“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ka deklaruar Shkodra për AP.

Teksa, kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ishte bërë nga Prokuroria.

Të dy të arrestuarit fillimisht ishin dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore