Lirimi i Pantiç-it, Sveçla akuzon Gjykatën se po saboton luftimin e krimit në Veri: S’ka të bëjë me drejtësi

SHFLETO

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

 

Dini Fetahu
20.10.2023 20:17
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar Gjykatën Themelore të Prishtinës se po saboton luftimin e krimit në Veri, kjo pas lirimit nga arresti shtëpiak të ish-policit të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç.

Pantiç akuzohej për sulme terroriste në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor, mirëpo i njëjti është liruar pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

“Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, shkroi Sveçla në Facebook.

Dejan Pantiç

Ministria theksoi se Policia arreston terroristët, ndërsa “këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani”, duke iu referuar shumës së mjeteve financiare që u pagua për lirimin e Pantiç-it.

“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiç, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani”, shtoi.

Mirëpo, në vlerësimin e Sveçlës, as masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta “nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”.

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në Veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Kosovës, policinë, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”.

Edhe veprat për të cilat akuzohet Pantiç dhe të tjerët, kreu i MPB-së thotë se nuk janë çfarëdo veprash.

“Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në Veriun tonë dhe as drejtësisë”.

Përkundrazi, pohon ai, “ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër”.

“Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëçarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës” potencon Sveçla.

Pantiç lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani