Shqipëria

Liqeni i Ohrit – Galapagosi i neglizhuar i Evropës


Nën sipërfaqen e tij të mjegullt, Liqeni i Ohrit është liqeni më i dendur me biodiversitet në botë.

Në një artikull për agjencinë ndërkombëtare mediatike “BBC”, në seksionin e saj të “Future Planet” (Planeti i së ardhmes), Jessica Bateman shkruan për liqenin e Ohrit dhe për peshkatarët që po përpiqen të shpëtojnë “fosilet e saj të gjalla” nga zhdukja:

“Është ora 8 e mëngjesit. Ajri jashtë është i freskët. Jashtë vështroj horizontin e mjegullt të Liqenit të Ohrit, i cili qëndron në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një grup varkash të vogla peshkimi prej druri, të lyera me ngjyra të theksuara, ngadalë zmadhohen, ndërsa afrohen drejt bregut.

Një anije ankorohet aty pranë meje, teksa një plak me një kapele të vjetër bejsbolli po pret të blejë ngarkesën e peshkatarit. Peshkatarët dalin në liqen ende pa zbardhur dita, duke filluar nga ora 4 e mëngjesit, për të kapur troftën e Ohrit – e njohur ndryshe si ‘koran’.

Është një specie që gjendet vetëm në këtë liqen. Shumë e kërkuar në të gjithë rajonin, falë mishit të tij të butë dhe të shijshëm, i cili zakonisht piqet në skarë ose furrë. Ky lloj peshku ka qenë i njohur që nga koha e Mesjetës, kur thureshin vargje poezie për të.

Problemi është se ky popullaritet po kërcënon ekzistencën e tij. Dikur, në vitet 1990, kapja vjetore e koranit në liqen ishte më shumë se 120 ton.

Nga viti 2012-2018, kapja vjetore ishte mesatarisht 61 ton.

‘Tridhjetë vjet më parë, ne mund të dilnim me rreth pesë grepa dhe të kapnim 30 kilogramë’, thotë Roland Bicja, një peshkatar nga Lini, një fshat piktoresk, i mbushur me lule të egra, ndërtuar në anën shqiptare të bregut të liqenit.

Më tej, ai thotë se ‘tani, ne vendosim 100 grepa dhe mezi kapim tre kilogramë’.

Çdo familje këtu ka një histori të hershme në peshkim dhe secila shtëpi ka barkën e vet të ankoruar jashtë.

Babai dhe gjyshi i Bicjas ishin të dy peshkatarë dhe ai e përshkruan daljen në liqen çdo mëngjes si një përvojë pothuajse shpirtërore, ‘kur jam në anije, është sikur im at është akoma aty, me mua’.

Por Bicja dhe peshkatarët e tjerë e dinë se situata e tyre është e pasigurt. Ata duhet të kapin koranin e Ohrit për të fituar bukën e gojës.

Por nëse e kapin shumë, mund të mos mbetet më – dhe bashkë me mungesën e saj, do të mungojë edhe burimi kryesor financiar i shumë familjeve afër liqenit.

Kjo është arsyeja pse ai dhe bashkëfshatarët e tij tani janë pjesë e një projekti që synon të rimbushë liqenin me koran. Kështu, përveç se shtohet popullata e peshkut në këto zona, edhe peshkatarët mbetën të punësuar.

Nga dhjetori deri në mars, kur peshku është në fazën e pjelljes, peshkimi për tregti është i ndaluar në liqen. Në vend të kësaj, peshkatarët paguhen për të kapur koranit, për të mbledhur spermën dhe vezët pa vrarë peshqit dhe t’i fekondojnë vezët artificialisht.

Këto më pas çohen në një rezervuar lokal, ku çelin dhe rriten për 10 muaj. Peshkatarët, më pas, paguhen për t’i lëshuar përsëri në ujë. Është një zgjidhje mjedisore dhe shoqërore për një problem me të cilin përballen komunitetet e peshkimit të ujërave të ëmbla në të gjithë globin.

Ohri është një nga liqenet më të vjetër në botë dhe mendohet të jetë formuar midis katër dhe 10 milionë vjet më parë. Ujërat e tij ngjyrë jeshile si ulliri janë të rrethuara nga male të mbuluara me dëborë dhe qytete e fshatra të shumtë janë ulur në brigjet e tij nga të dy anët shqiptare dhe maqedonase.

Vendi është konsideruar prej kohësh një vend i shenjtë në Krishterimin Ortodoks dhe qyteti më i madh maqedonas këtu – i quajtur gjithashtu Ohri – mendohet të ketë patur dikur 365 kisha, ose një për çdo ditë të vitit.

Alfabeti cirilik, i cili përdoret në shumë gjuhë sllave, përfshirë rusishten, u zhvillua gjithashtu këtu, në Shkollën Letrare të Ohrit. I gjithë liqeni, në vitin 1979, për shkak të rëndësisë së tij kulturore dhe bukurisë së tij të jashtëzakonshme natyrore, u shpall Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.

Sidoqoftë, ky vend i veçantë është nën kërcënim nga më shumë se vetëm mbi-peshkimi. Për shkak të bumit turistik gjatë dekadës së fundit, ndërtimet dhe ndotja janë rritur gjithashtu.

‘Në vitin 1979 ishte tërësisht i pacenuar’, thotë Mechtild Rössler, drejtor i qendrës së trashëgimisë botërore në UNESCO.

‘Por, me kalimin e kohës, ajo u bë një çështje shqetësuese’.

Galapagos në Evropë

Vetë liqeni shpesh referohet si Galapagosi evropian. Kjo, për shkak të numrit të lartë të specieve që nuk gjenden askund tjetër përveç këtu. Gjithsej janë 212 specie, të cilat përfshijnë tërësinë e zinxhirit ushqimor – nga algat dhe zooplanktonët te bimët, kërmijtë dhe krimbat.

Në këtë habitat gjenden gjithsej 17 specie peshqish, nga të cilat tetë janë endemike.

Liqeni përshkruhet nga shkencëtarët si ‘një muze i fosileve të gjalla’, thotë Spase Shumka, një profesor në Universitetin Bujqësor në Tiranë.

Në gjashtë milionë vjet izolim, speciet brenda saj ishin në gjendje të evoluonin në mënyrë unike. Sipas UNESCO-s, nëse merret parasysh madhësia, Liqeni i Ohrit është liqeni më biodiversal në botë.

Shumka shpjegon se liqeni është oligotrofik, që do të thotë se “është një liqen i pastër me pak lëndë ushqyese në të”. Kjo e bën ujin të pastër dhe të sigurt edhe për njerëzit, që të zhysin duart e tyre dhe të pinë nga ai. Megjithatë, kjo gjithashtu do të thotë se ka një produktivitet të ulët, me fjalë të tjera, peshqit riprodhohen me një ritëm shumë më të ngadaltë krahasuar me shumicën e liqeneve të tjerë.

Speciet këtu kanë evoluar për të lulëzuar në këto kushte të pazakonta, përfshirë këtu edhe koranin e Ohrit. Duhen rreth pesë deri në gjashtë vjet për të arritur pjekurinë seksuale dhe, madje, përveç kësaj, prodhon vetëm 2 mijë deri në 2 mijë e 500 vezë për 1 kilogram të peshës trupore. Në krahasim, një krap ka 500 mijë.

Shumka e përshkruan liqenin si një ‘ekosistem nga lart-poshtë’ – korani i Ohrit, i cili është një nga dy grabitqarët kryesorë së bashku me krapin e Ohrit, kontrollon popullatat e të gjitha specieve më poshtë zinxhirit ushqimor. Nëse numri i tij bie, ai ndikon në të gjithë liqenin.

Përpjekja për të shtuar popullatën e koranit

Një plan për të rimbushur koranin e Ohrit u zhvillua së pari nga shkencëtarët në anën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 1935, kur ishte pjesë e Jugosllavisë para-Komuniste.

Në atë kohë, peshkatarët kapnin krijesën me rrjetë kur ishte sezoni i vezëve dhe peshku notonte afër bregut.

Një limnolog lokal, Sinisha Stankovic, e kuptoi se kjo ishte duke bërë kërdinë në riprodhimin e peshkut. Ai krijoi një sistem ku peshkatarët, përpara se ta shisnin në treg, të mblidhnin vezët dhe spermatozoidet nga korani.

Kështu themeloi Institutin Hidrobiologjik të Ohrit, ku vezët e fekonduara artificialisht mund të çelin.

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës komuniste, situata mjedisore në të dy shtetet ishte mjaft e qëndrueshme. Peshkimi kryhej vetëm nga ndërmarrjet shtetërore dhe kështu numri i koranit që kapej ishte i mirëkontrolluar. Fekondimi artificial gjithashtu mbajti numrat optimistë.

Bicja kujton sesi, si fëmijë, ai shikonte nga shtëpia e tij dhe shikonte ujërat e pastra të liqenit të mbushura me peshq.

‘Në atë kohë, nuk na lejohej t’i kapnim vetë’, kujton ai.

‘Por unë zakonisht, kur isha rreth 12 vjeç, notoja vetëm dhe peshkoja me grepa’.

Gjithçka ndryshoi në fillim të viteve 1990. Regjimet në të dy palët u shembën, duke sjellë një kaos gjithandej. Të gjitha rregullat dhe sistemet që kishin qenë më parë, tani ishin zhdukur. Në veçanti, në Shqipëri, e cila vuante nga varfëria ekstreme.

Me koranin e Ohrit, i cili akoma konsiderohej si një nga peshqit më të njohur në tregun rajonal, dhe me autoritetet e dobëta që të rregullonin peshkimin, shumë njerëz të dëshpëruar panë një mënyrë të thjeshtë për të fituar para.

‘Papritmas, të gjithë ishin në liqen’, kujton Bicja. ‘Kishte njëqind, ndoshta dyqind anije’.

Sipas Zoran Spirkovski, kreut të peshkimit dhe bujqësisë së aplikuar në Institutin Hidrobiologjik të Ohrit, thotë që situata e peshkimit pa kriter vazhdoi për vite me radhë, duke krijuar një dëm në popullatat e koranit, që liqeni ende po përpiqet ta rikuperojë.

Në vitin 2005, Banka Botërore ra dakord të financojë një program për shumimin e koranit, duke krijuar mundësi për të prodhuar një milion peshq të rinj, çdo vit. Nga pala maqedonase, shtohen dhe 2.5 milionë të tjerë.

Pas takimit me Bicjan, shkova dhe vizitova inkubatorin në fshatin Lin. Në fshat dëgjoheshin cicërimat e zogjve dhe hardhucat që lëvizin rreth e rrotull meje, ndërkohë që unë po ecja.

U takova me Celnike Shegani, e cila ka drejtuar inkubatorin që kur u rihap.

‘Këta peshq të rinj janë jeta ime’, thotë ajo.

‘Edhe nipërit e mbesat e mia, sa herë më shohin, më pyesin: Si janë peshqit e vegjël?’.

Peshkimi i paligjshëm

Kohët e fundit, në Shqipëri, janë vënë kufizime dhe tani, të gjithë ata që duan të peshkojnë duhet të kenë licencë dhe të jenë anëtarë të shoqatës lokale të peshkimit.

Megjithëse peshkimi kontrollohet më mirë sesa dikur, ekspertët besojnë se duhet të ketë një ndalim total të kapjes së koranit përpara se të ketë arritur një madhësi të caktuar. Kjo, për shkak të kohës së gjatë që duhet për të arritur pjekurinë seksuale.

“Unë gjithmonë i hedh peshqit përsëri nëse janë të vegjël, por ju mund të shihni njerëz që i mbajnë dhe i shesin”, bie dakord Bicja.

Në liqen ndodh edhe peshkimi i paligjshëm. Kjo ndodh, edhe pse shoqata e peshkatarëve ka autoritetin të konfiskojë pajisjet e peshkatarëve kur kapen në mënyrë të jashtëligjshme.

‘Nuk e di nëse është e mundur që dikush ta heqë qafe plotësisht këtë fenomen’, thotë Spirkovski.

“Ne mund të përpiqemi vetëm ta zvogëlojmë atë”.

Ata që jetojnë buzë liqenit dhe varen nga ai për jetesën e tyre shpresojnë se një ditë do të marrin ndihmën e nevojshme për ta ruajtur këtë vend unik. Dy vjet më parë, Ohri u rekomandua për t’u përfshirë në listën e trashëgimisë në rrezik të UNESCO-s.

Nëse në të ardhmen shtohet, do të inkurajonte komunitetin ndërkombëtar që të kujdesej për të.

‘Ka pasur një progres’, thotë Rössler. ‘Por ka ende një grumbull problemesh. Duhet bërë më shumë për të ruajtur këtë natyrë të pacenuar’.

Pavarësisht perceptimit ndërkombëtar ndaj peshkut, këtu në Liqenin e Ohrit, njerëzit që varen nga liqeni e dinë fare mirë se çfarë do të thotë korani.

‘Korani i Ohrit është gjëja më e rëndësishme që kemi këtu në fshatin tonë’, përfundon Bicja.

Të gjithë duhet të kujdesen për të dhe të kuptojnë sa i veçantë është”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore