Shqipëria

Linda Rama shfaq realitetin e saj në një “botë virtuale”


Dy hapësira njohjeje, ndonëse profesionale aq edhe publike.

Të shkrira në një koncept vizual dhe minimalist, njëkohësisht virtual në një rrjet të dedikuar për të.

Po flasim për një person publik, e cila njihet vetëm për profesionalizmin e saj.

Aq shumë publike dhe sakaq në heshtje mediatikisht, daljet e saj televizive mund të numërohen fare mirë me gishtat e njërës dorë.

“Nuk kam aktivitet në rrjetet sociale, jam shfaqur në ekran rrallë kur arsyeja më është dukur vërtet e fortë”.

Kështu e nis marrëdhënien e saj zbuluese me një publik të gjerë, Linda Rama (bashkëshortja e kryeministrit shqiptar Edi Rama), në web-in “Linda.al”.

Sipas saj, profesionistët më së shumti qëndrojnë larg protagonizmit dhe vëmendjes publike, por mbeten “këqyrës të ndjeshëm të sferave të përbashkëta”.

Pra, zonja Rama përmend ata kontribues të dobishëm të shoqërisë, të cilët e ushqejnë dhe e konsumojnë pa bujë pasionin për profesionin.

“Në kohët e sotme të botës së zhurmshme digjitale, realiteti i profesionistëve i përket jo-ekzistencës ndërkohë që protagonistët e sferës virtuale ngjajnë i vetmi realitet”, vijon Linda Rama.

Ajo sqaron se web-i i saj i titulluar “Linda.al” nuk është një akt pendese për mos qënien në rrjetet sociale por hapja e një porte të botës virtuale digjitale mbi jetën e saj profesionale dhe qytetare.

Mes angazhimeve me intelektualë, studiues apo edhe studentë dhe kureshtarë, Linda Rama sqaron se në shpërfaqjen e web-it do të vendosen 50 publikime të botuara ndër vite si autore, bashkë-autore, kontribuese apo për opinionet dhe mendimet e dhëna në daljet jo të shpeshta publike.

Intelektualja shqiptare e konsideroi “Linda.al” si një moment modestisht ceremonial për të.

Ndërsa kujtoi se i përket gjeneratës që jeton e ndarë ndër dy kohësh – dy sisteme në luftë me njëri-tjetrin (komunizmit dhe demokracisë) – Linda Rama bëri një kredhje në fëmijërinë dhe rritjen e saj në kryeqytet.

Kjo pikënisje ishte dhe destinacioni final i prezantimit të parë me publikun në hapësirën e saj virtuale.

Bashkëshortja e kreut të qeverisë zbuloi dhe arsyen e trashëgimisë që do pasojë këtë web dhe oaz emocionesh dhe bindjesh.

“Kam thënë në çdo rast atë që kam menduar, kam këmbëngulur në atë që kam besuar si nënë, si qytetare, bashkëshorte dhe profesioniste. Kam bërë atë që kam ndjerë edhe kur më është dashur të marr vendime të vështira, çdo vështirësi e kam jetuar si një mundësi për të arritur diçka më të mirë për veten dhe për të tjerët”.

Për Linda Ramën ky është detyrimi – përfshirë “Linda.al” – për të ndërtuar dhe për të lënë pas për çdo fëmijë një rrugë më të mirë dhe më të gjerë se sa rruga që nisi në fëmijërinëm e saj.

Kujtojmë që ky është një standard i njohur gjerësisht në botën amerikane të politikës dhe sipërmarrjes, përmendim këtu Michelle Obama dhe Hillary Clinton, të cilat e kanë shfaqur advokimin politik shprehimisht.

Kjo përpjekje e Linda Ramës ka marrë dhe “bekimin” e kryeministrit shqiptar duke e shpërndarë lajmin nën tonalitetin e krenarisë bashkëshortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore