Shqipëria

Linda Rama kujton orët e qëndrimit në spital me kryeministrin gjatë fjalimit të Iftarit


“E vërtetë që jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Edhe apendiciti i Edit (Edi Rama – ed.) mund të them që nuk paska ardhur vetëm për keq pasi falë ndërhyrjes për heqjen e tij në vend që sonte të dëgjonit një fjalë të gjatë do të dëgjoni një përshëndetje të shkurtër”.

Kështu e nisi fjalën e saj në Iftarin e organizuar nga Kryeministria, bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Linda Rama.

“Në këtë sofër tradicionale Iftari në të cilën myslimanë, të krishterë, besimtarë ose jo ndajmë bukën në përulje dhe respekt të një rituali të gjithë-pranuar që kremton njeriun, jetën, sakrificat dhe shpërblimet e saj”, shtoi Rama.

Ajo kujtoi se ekzaktësisht 100 vite më parë, në vitin 1923 Këshilli i Nalt Mysliman i drejtohej Kryeministrisë me një shkresë për të lajmëruar themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Me postulatin “Dashuria për Atdheun rrjedh nga besimi” dhe me vendimin për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhën e liturgjisë islame, myslimanët shqiptarë kishin rrokur qysh në lindjen e tyre si komunitet një vizion paqeje në atdhe-dashuri dhe progres, vërejti Linda Rama.

Sipas saj, 100 vite më pas ky vizion i paqes dhe progresit, përqafuar natyrshëm nga krejt komunitetet fetare është “mëshiruar në shëmbylltyrën rrezatuese të harmonisë fetare, pasuri e çmuar e shqiptarëve, dhuratë e vyer për familjen e kombeve evropiane dhe shembull për çdo vend ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë”.

Bashkëshortja e kryeministrit u ndal gjatë fjalës edhe në përjetimin e orëve të qëndrimit në spital krah Ramës.

“Në 30 orët e qëndrimit me Edin (Edi Rama – ed.) në spital pata mundësinë të jem mes një ekipi mjekësh dhe infermierësh të përkushtuar. Teksa rrija ulur në karrige, pak pas mesnatës njëra prej tyre më afrohet dhe më pyet me zë të ulët ‘t’iu sjell një jastëk’ e më parë erdhi se iku duke më lënë në dorë një jastëk të vogël që e mbajta nën qafë gjatë gjithë natës. Në të zbardhur pashë që jastëku që kishte qëndruar me mua ishte një jastëk bebesh me një rosak të qëndisur me dorë në mes të tij”, kujtoi Rama.

Biseda u përmbyll duke nxjerrë në pah një bisedë të shkurtër mes infermieres dhe bashkëshortes së kryeministrit.

“I kujt është ky jastëku që ma lehtësoi natën mua”, e pyeti Linda Rama. “I vajzës time”, ishte përgjigjur infermierja.

“E mbaj pranë në orët e natës kur jam në punë, uroj t’iu ketë shërbyer”.

Rama thotë se do të vazhdojë rikuperimin në shtëpinë e tij pas operacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore