Lajme

Lija e majmunëve/ Shkalla e transmetimit dhe infektimet e pashpjegueshme


Lija e majmunëve shkakton një sërë simptomash të ngjashme me gripin.

Të tilla, si: lodhje, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, ethe, ënjtje të nyjave limfatike, si edhe skuqje në pëllëmbët e duarve.

Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, “shumica e rasteve kishin lezione në organet gjenitale, duke treguar se transmetimi ka të ngjarë të ndodhë prej kontaktit të ngushtë fizik gjatë aktiviteteve seksuale”.

Ndër komplikimet e rralla që raportohen janë bronkopneumonia, diarre dhe të vjella, dhëmbëza korneale, të cilat mund të çojë në verbëri të përhershme, encefalit veçanërisht te pacientët me infeksion dytësor bakterial dhe septicemi, me formimin e shenjave në lëkurë si pasojë afatgjatë.

Shumica e njerëzve shërohen brenda pak javësh, por virusi ka pasur një shkallë vdekjeje prej rreth 3.3 për qind në Nigeri.

Sëmundja mund të shfaqet rëndë në disa grupe të popullsisë, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe njerëzit me imunitet të dobët.

Si transmetohet lija e majmunit?

Virusi mund të përhapet përmes kontaktit të ngushtë. Kështu që, punonjësit e kujdesit shëndetësor, anëtarët e familjes dhe partnerët seksualë janë më të rrezikuar nga infeksioni.

Shenjat në zgavrën e gojës ose në lëkurën e një individi të infektuar janë ngjitëse, siç janë edhe çarçafët, ose rrobat që kanë qenë në kontakt me qelbin e dalë nga flluska.

Sëmundja është e transmetueshme që nga momenti i shfaqjes së shenjave dhe simptomave dhe gjatë gjithë rrjedhës së sëmundjes.

Pra, derisa të gjitha lezionet të jenë shëruar dhe zgjebet të jenë zëvendësuar nga një shtresë e re e lëkurës.

Periudha e infektimit përgjithësisht është nga pesë deri në 21 ditë.

Kjo është edhe arsyeja pse Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar rekomandon njerëzit që kanë pasur “kontakt të drejtpërdrejtë të pambrojtur ose kontakt me mjedisin me rrezik të lartë”, të izolohen për 21 ditë.

A është sekuencuar virusi?

Gjenomet e para virale janë izoluar dhe depozituar në Portugali, Belgjikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të tre sekuencat duket se janë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe sugjerojnë derivimin nga një grup i vetëm infeksionesh.

Ato janë shumë afër atyre të izoluara në Nigeri dhe Mbretëri të Bashkuar në vitin 2018, gjatë një shpërthimi të mëparshëm.

Për momentin, nuk duket se shfaqet asnjë mutacion që do të justifikonte rritjen e transmetueshmërisë, megjithëse nevojiten të dhëna më specifike të sekuencës dhe janë ende në vazhdim.

Çdo vend, që ka identifikuar të paktën një rast, do të duhet të depozitojë gjenomën virale në bazën e të dhënave.

A ka pasur ndonjë shpërthim?

Në përgjithësi, lija e majmunëve nuk çon në shpërthime të mëdha dhe vetëm një pjesë e vogël e rasteve kanë ndodhur jashtë Afrikës gjatë viteve.

Përhapja më e madhe jashtë vendeve ndodhi në vitin 2003, në SHBA, me 70 raste të lidhura me qen dhe kafshë të tjera të infektuara.

Në Afrikë, 11 vende kanë raportuar raste që nga viti 1970: i pari përfshinte një djalë 9-vjeçar në Republikën Demokratike të Kongos.

Mbi 500 raste të dyshuara dhe 200 raste të konfirmuara janë raportuar në Nigeri që nga viti 2017.

Por, deri më sot, shpërthimet janë raportuar rrallë.

Shqetësimi i autoriteteve shëndetësore

Referuar Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kjo është hera e parë që zinxhirët e transmetimit janë raportuar në Evropë, pa lidhje me Afrikën Perëndimore ose Qendrore.

Deri më tani, nga 52 subjekte për të cilat disponohet informacion, 41 nuk kanë udhëtuar kohët e fundit dhe kjo do të konfirmonte qarkullimin lokal të virusit dhe transmetimin.

Aktualisht, individët e gjurmuar nuk janë thuajse të gjithë të lidhur epidemiologjikisht.

OBSH-ja e ka studiuar këtë virus prej vitesh, për shkak të afërsisë së tij me linë njerëzore.

Çka e shqetëson OBSH-në është shpejtësia e transmetimit: të gjitha rastet e regjistruara në Afrikë kanë prodhuar pak raste dytësore dhe të gjitha lehtësisht i atribuohen një indeksi rasti.

Nga ana tjetër, në rastet e fundit, është më e vështirë të gjendet lidhje midis pacientëve të ndryshëm, sikur të kishte një transmetim komuniteti ende të paidentifikuar.

Ashtu si me të gjithë viruset, sa më shumë të përhapet, aq më i madh është rreziku i mutacionit.

Së fundi, shumica e popullsisë së botës nuk është e vaksinuar kundër lisë njerëzore dhe miliarda njerëz janë të cenueshëm sot.

Më të rrezikuarit

Njerëzit me një vaksinim të mëparshëm kundër lisë kanë njëfarë mbrojtjeje kundër lisë së majmunëve. Kjo pjesë e popullsisë pritet të preket nga një sëmundje më e lehtë.

Prandaj, të rinjtë e pavaksinuar, janë më të rrezikuar.

Çka është në përputhje edhe me të dhënat e disponueshme: të infektuarit janë nga 20 deri në 40 vjeç.

Nuk dihen raste mbi moshën 55 vjeç.

Megjithatë, nuk mund të përjashtohet ende që kushtet e pasigurta shëndetësore tipike të pleqërisë mund të mos përfaqësojnë një faktor rreziku.

Vizioni prek kryesisht meshkujt?

Aktualisht, nga 105 raste për të cilat disponohet informacion, vetëm një individ është femër.

Çka dihet është se transmetimi kërkon kontakt të ngushtë. Kjo ndodh gjatë një marrëdhënieje intime.

Në marrëdhëniet e tjera (anale) rreziku i çarjes së mukozave është më i lartë dhe pikërisht nëpërmjet këtyre lezioneve, nëse individi është ngjitës, mund ta transmetojë virusin te partneri.

Kjo mund të shpjegojë incidencën e lartë të infektimit te meshkujt.

Megjithatë, duhet të mbahet mend se ngjitja mund të ndodhë edhe përmes pështymës, kontaktit me veshje ose çarçafë të kontaminuar.

Marrë nga “Corrire della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore