Përballje

Ligue 1/ Zeneli dhuron asistim në fitoren e Reims, Lyon fiton e Monaco dështon


Janë zhvilluar pesë takime të xhiros së pestë në kampionatin francez të futbollit, Ligue 1.

Futbollisti i Kosovës, Arbër Zeneli, e nisi titullar takimin që ekipi i tij, Reims, e fitoi me rezultat 2:4 në udhëtim te Angers.

Zeneli la gjurmë në këtë takim, duke dhuruar asistim në golin e parë të Reims, të cilin e shënoi Marshall Munetsi.

Përveç asistimit, sulmuesi i dardanëve zhvilloi një lojë të mirë, derisa u zëvendësua në minutën e 64-të.

Kjo ishte fitorja e parë e Reims në pesë ndeshjet e para të kampionatit, derisa ata numërojnë edhe dy barazime.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Lyon-i u rikthye te fitorja, duke e mposhtur në shtëpi Auxerre-n me rezultat 2:1.

Braziliani Tete dhe Karl Toko Ekambi realizuan golat për Lyon-in, ndërsa për Auxerre e ngushtoi rezultatin Mathias Autret.

Kjo ishte fitorja e tretë e Lyon-it, derisa numëron edhe një barazim me Reims.

Befasia e kësaj mbrëmje në futbollin francez, ishte humbja e Monaco-s nga Troyes me rezultat 2:4.

Monaco e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi në minutën e 10-të me anë të Guillermo Maripan.

Por, ky i fundit la ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë, duke u ndëshkuar me dy kartonë të verdhë brenda pjesës së parë.

Troyes më pas shënoi dy gola gjatë pjesës së parë dhe po aq në pjesën e dytë, derisa Monaco arriti të shënonte edhe një herë me anë të Youssouf Fofana-s.

Në dy ndeshjet tjera, Montpellier regjistroi fitoren e radhës me rezultat 2:0 ndaj Ajaccio-s dhe Strasbourg barazoi me shifrat 1:1 ndaj Nantes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore