Ligji për Shëndetin Mendor i pazbatueshëm në Kosovë

SHFLETO

Ilustrim i shëndetit mendor.

 

Altina Marmullaku
12.06.2022 14:55
Loading Icons...

Në të gjitha institucionet Ligji për Shëndetin Mendor po konsiderohet jofunksional dhe i pazbatueshëm.

Për këtë arsyeje është kërkuar që me urgjencë të ndryshohet ky ligj, pasi në shumë pika thuhet se po bëhen edhe shkelje e të drejtave të pacientëve të cilët janë të vendosur në institucionet ku trajtohen rastet e tilla.

Nga ministria e Shëndetësisë, është deklaruar se është formuar grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për shëndetin mendor.

“Aktualisht Ministria ka themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentin për shëndetin mendor, dhe ky dokument është duke u hartuar nga ekspertet e fushës”.

“Grupi përmes koncept dokumentit në hartim e sipër, do ta përcaktoj politikën e re për shëndetin mendor, pa përjashtuar mundësinë edhe te ndryshimit te ligjit. Pra kjo çështje është duke u trajtuar”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ndërsa, deputeti Burim Meta, i cili kryeson grupin punues në lidhje me këtë ligj, ka thënë se si i tillë ka ngecur.

Ministria e Shëndetësisë.

“Ne si Komision për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, është vendosur që pasi që kemi parë mos-funksionimin e Ligjit Mendor dhe duke pasur parasysh nevojën imediate në zbatueshmëri të ligjit, duke ditur që shëndeti mendor i qytetarëve tanë edhe nga pandemia pothuajse është rënduar, kemi hyrë në hulumtim dhe është vendosur që unë ta kryesoj një grup hulumtues të tillë”.

Ai shton se kanë propozuar 12 rekomandime dhe zhbërjen e këtij ligji.

“Kemi gjetur parregullsi dhe moszbatueshmëri pothuajse në të gjitha institucionet ku fushëveprimtaria e tyre përcaktohet dhe rregullohet përmes këtij ligji. Është një ligj jofunksional, deri më tani nuk është zbatuar pothuajse asnjë nen i kësaj”.

Pritshmëritë e tij, janë që të formohet një komision i ekspertëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor.

“Do të dëshiroja që edhe Departamentin e Shëndetit Mendor që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ta udhëhiqnin profesionistët e shëndetit mendor, dhe jo të tjerët. Në mënyrë që të kemi impakt sa më pozitiv për këtë ligj, në mënyrë që të jemi sa më afër qytetarëve dhe të kujdesemi më shumë për ta”.

Sipas neuropsikiatrit Sami Rexhepi, ky ligj është vonuar shumë.

“Urgjencë është trajtimi i detyrueshëm të definohet shumë më mirë edhe të jetë konform konventave ndërkombëtare, për shkak se kemi pasur numër të madh të vërejtjeve por edhe problemeve në trajtimin e klientëve tanë”.

Ilustrim.

“Se nuk e kemi atë të drejtë të trajtimit të detyrueshëm, por jemi përgjegjës për trajtimin e personave që nuk janë kritik për gjendjen e vet e në anën tjetër paraqesin rrezik për vetën e vet apo për rrethin”, deklaron Rexhepi.

Ai ka theksuar se pengesë e madhe e zhvillimit të shërbimeve shëndetësore është legjislacioni dhe infrastruktura.

“Prishtina e ka vetëm këtë qendër për shëndet mendor dhe një qendër për shëndet mendor në Podujevë, me dy shtëpi integruese ku i kemi nga 10 klientë të shtrirë që marrin shërbime 24-orëshe në Fushë Kosovë dhe në Drenas”.

Lulkuqe Gashi, nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në Institucionin e Avokatit të Popullit, konsideron se me ligjin aktual po bëhen shkelje të drejtave të njeriut.

“Ka mospërputhje të ligjeve mes Ligjit për Shëndetin Mendor dhe Ligjit për Procedurë Jokontestimore, ku pikërisht në këto pika edhe bëhen shkelje të të drejtave të pacientëve apo personave të vendosur në këto institucione”, shprehet ajo.

Në raportimin me 12 rekomandime të Komisionit për Shëndetësi thuhet se fëmijët dhe të rriturit me probleme të shëndetit mendor trajtohen në të njëjtin vend, nuk ka privatësi për dy gjinitë dhe se nuk ka institucion për trajtimin e sëmundjeve të varësisë.