Ligji për profesionet e lira, Tabaku paraqet përfundimet: Qeveria keqciton raportin e FMN për interesa të vogla dhe antikushtetuese

SHFLETO
Vitjon Nina
25.06.2024 11:45
Loading Icons...

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila ka përfaqësuar Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe katër grupe interesi, ka paraqitur (ashtu siç ishte kërkuar) përfundimet lidhur me ligjin për profesionet e lira, në një padi dërguar Gjykatës Kushtetuese.

Në seancën e konkluzioneve, deputetja e PD Tabaku u shpreh për përfundimet.

Ajo artikuloi se kërkesa e grupit nuk lidhej me marrjen e atributit të këshillit të ministrave për politikat fiskale, por kundërshtia e padisë lidhej me kushtetuetshmërinë e këtij ligji. Ajo më pas vuri në dukje se përdorimi nga ana e qeverisë e raporteve të FMN dhe Bankës Botërore ishin të keqpërdorura.

Kushtetuesja vendos sot për (mos) taksimin e profesioneve të lira

“Raporti i FMN-së që ju cituat pak më parë, thotë që një bazë e vogël personash të taksuar dhe një pafuqi në mbledhje vijnë nga zbatimi i dobët i ligjit, nga sistemi aktual i taksave që është kompleks dhe i fragmentarizuar dhe ndryshimet e shpeshta ad hoc kanë qenë minuese në lidhje me stabilitetin dhe transparencën e këtij sistemi dhe nga një lexim i drejtë i kësaj përputhen njëkohësisht me vendimin e shkuar të Gjykatës Kushtetuese “ për një sistem më të ndershëm, më eficent, më të thjeshtë dhe më transparent, që duhet të luftojë informalitetin”, artikuloi Tabaku.

Më pas, ajo tha se këtë rast, Qeveria e përkthen paaftësinë, arrogancën, por edhe abuzimin me sistemin e taksave dhe pafuqinë e administratës tatimore për të zbatuar ligjin, në një taksë të pandershme dhe të padrejtë.

“Ndërkohë që FMN propozon që Qeveria shqiptare të mos ketë asnjë përjashtim nga taksat dhe të mos ketë asnjë diferencim dhe fragmentarizim, Qeveria shqiptare e thellon këtë me politikat fiskale që u përmendën këtu herën e kaluar”, shtoi më tej Tabaku në fjalën e saj të konkluzioneve përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese.

Për Tabaku qeveria e ka keqcituar qëllimisht raportin e FMN dhe Bankës Botërore në lidhje me profesionet e lira. Reagimi i deputetes së PD erdhi pasi pala e qeverisë këmbëngulte se ishte raporti i FMN që e kishte udhëzuar atë të vendoste një taksë për profesionistët e lirë.

Por, sipas deputetes së PD, raporti i FMN sugjeronte qeverisë që të hiqte të gjitha përjashtimet dhe madje të vendoste një taksë mbi xhiron ndaj biznesit të vogël.

Për të, Qeveria ka mbyllur sytë dhe ka përdorur alibinë e FMN vetëm për të ngritur një ligj që bie në kundërshtim me vetë kërkesën e FMN; duke fragmentarizuar tërësisht politikën fiskale dhe kategorizuar (në kundërshtim me sugjerimet) biznesin e vogël.