Lajme

Ligji për pagën minimale akoma s’është dërguar në presidencë


Presidenca e Kosovës.

Ligji për pagën minimale akoma nuk ka shkuar në zyrën e presidentes së Kosovës për dekretim.

Lajmin për Albanian Post e ka bërë të ditur këshilltari për media nga presidenca, Bekim Kupina.

Ai në një përgjigje të shkurt ka thënë se edhe ky ligj do të analizohet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe ligjet e kaluara.

“Ligji është ende në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka ardhur në Presidencë. Kur të vjen, do të analizohet sikurse edhe ligjet e tjera”.

Më 15 korrik, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka protestuar në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.

Kjo protestë ishte thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik.

Ky ligj parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Vlera e pagës minimale në Kosovë, nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.

Ata patën protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos miratohen derisa të mos amendamentet dokumenti.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë.

Por, që sipas tij, këto përfitime nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Kreu i ekzekutivit po ashtu deklaroi se do të angazhohet në ligj të ri për veteranët, por që fillimisht faktet duhet të jenë të sakta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore