Ligji për ish-spiunët, mazhoranca kërkon kohë

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
08.10.2022 19:40
Loading Icons...

Këtë javë, u tha se propozimet e bëra nga socialistët për dekriminalizimin ishin harruar.

Kjo pasi ata premtuan se në shtator do të depozitonin në Kuvend propozimin për ndryshime në ligjin për Partitë Politike dhe Kodin Zgjedhor gjë që nuk u bë.

Por, të shtunën e 8 tetorit, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka theksuar se mazhoranca po merr kohë për të hartuar amendamentet për ligjin e dekriminalizimit dhe atë të partive politike.

“Ne thjesht do të jemi të kujdesshëm që të ruajmë standardet”, tha Bushka e cila shpjegoi se me këto propozime do të bëhet transparencë për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, por dhe do të ndalohet qëndrimi i tyre në politikë.

Për Bushkën është e rëndësishme që të sillet në Kuvend një produkt i pakontestueshëm.

“Në rast se nga deklarimi rezultojnë fakte të pavërteta, ligji ka sanksione administrative deri në penale, duke ja lënë barrën e vetëdeklarimit vetë subjektit”, tha ajo gjatë një daljeje televizive.

Ndërhyrja ligjore nga ana e socialistëve lindi pas informacioneve të bëra publike nga Autoriteti i Dosjeve se edhe ish-presidenti, Ilir Meta, rezultonte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Disa ditë më parë, kreu i Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla, tha se ka “nevojë urgjente” për politikën shqiptare dhe institucionet të tjera për tu pastruar nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.

Sipas tij, po vijon puna brenda Grupit për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë edhe me ligjin për dekriminalizimit, ku të parashikohet se bashkëpunëtorët e ish-sigurimit nuk mund të mbajnë një rol drejtues.

Zbulimi se një personalitet i rëndësishëm i jetës politike shqiptare ka qenë spiun i ish-sigurimit të Shtetit në periudhën e komunizmit ka sjellë debate të shumta mes palëve, por edhe nisma.

Në nismat ligjore të PS-së kërkohet verifikimi i të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.

Dy nismat ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.