Ligji i ri i tatimeve për profesionet e lira është i drejtë, sipas FMN

SHFLETO
Vitjon Nina
08.05.2024 7:30
Loading Icons...

Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndryshimet ligjore sa i takon tatimeve të të ardhurave për profesionet e lira janë të drejta, edhe pse disa hapa konkrete për zbatimin e tyre duhet të ndiqen.

Kështu ka thënë Anke Weber, shefja e misionit të FMN-së në Shqipëri, gjatë një interviste të dhënë për revistën ekonomike Monitor.

Sipas Weber, regjimi i mëparshëm i tatimit mbi të ardhurat kishte disa mangësi të rëndësishme.

Ndaj, ky rishikim i tiji, me zbatim gradual deri në vitin 2029, kur pritet edhe t’i bashkohen skemën të gjitha bizneset e vogla, është me rëndësi.

Pragje të ndryshme për të ardhurat nga punësimi dhe për të ardhurat nga biznesi rezultuan në një strukturë konfuze tatimore, me stimuj më të fortë, që tatimpaguesit të deklaronin të ardhurat e tyre si të ardhura nga aktivitetet e biznesit.

Ky boshllëk, sipas Weber, ishte një pasojë e paqëllimshme e dallimit midis mënyrës se si tatohen të ardhurat nga punësimi dhe biznesi dhe krijoi një situatë të padrejtë për punonjësit e tjerë.

Për të adresuar këto çështje, the Weber, ligji për tatimin mbi të ardhurat u ndryshua, me ndihmën dhe mbështetjen teknike të FMN-së, për të siguruar, që profesionistët e lirë do të tatohen në një mënyrë të krahasueshme me taksapaguesit e tjerë të punësuar.

Por, ajo shton gjithashtu se përvoja me zbatimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat nxjerr në pah sfidat, që mund të shfaqen dhe të pengojnë zbatimin e qetë dhe në kohë të masave reformuese.

Kjo nënvizon nevojën për të vazhduar përparimin me reformat e administrimit të të ardhurave, të cilat zakonisht kërkojnë një kohë të gjatë dhe koordinim të fortë ndërmjet agjencive të ndryshme zbatuese.

Shefja e FMN-së për Shqipërinë theksoi ndërkaq se ritmi i reformave të administrimit të të ardhurave duhet të përshpejtohet, veçanërisht në lidhje me një plan strategjik për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe përmirësimin e mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave për të ndihmuar në forcimin e pajtueshmërisë, veçanërisht në rastin e sektorit të turizmit dhe të individëve të pasur.

Çfarë parashikon paketa e re fiskale?

Janë 26 kategori të profesioneve të lira që do të tatohen, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.

Të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.

Sipas paketës, sugjerohet një rritje të të ardhurave në arkën e shtetit dhe rregullime në disa sektorë.

Ndërsa, do të ketë një tavan prej 1.5% në rritjen dy-vjeçare të akcizave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me normën e inflacionit.

Për uljen e këtij të fundit, Banka e Shqipërisë vendosi së fundmi edhe rritjen e normës bazë të interesit në 3.25%.

Thënë kjo, akciza e karburanteve, birrës, apo verës, nuk do të rritet me 11% si vitet e shkuara, por shtesa do të ndalet në vetëm 1.5%.

Nga ana tjetër, me rekomandim të Bashkimit Evropian, do të vendoset një taksë mbi industrinë e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit.

Kjo, për shkak të emetimeve të karbonit që këto industri të rënda lëshojnë.

Këto kompani që përdorin qymyrin si lëndë të parë, paguajnë vetëm 3 lekë/kg si taksë karboni, dhe nga viti 2024 deri në 2030 ato do të paguajnë 15 lekë/kg.

Përjashtim nga taksat ndërkohë, sipas planit të Qeverisë, do të kenë importi i mëshqerrave dhe insekteve, ku përfshihen edhe bletët.

Në bazë të kësaj politike të re, synohet që të ketë një rritje të krerëve në vend si edhe zhvillim të mëtejshëm të bletarisë, apo stimulimit të prodhimeve të njohura si “bio”.

Ndryshime do të ketë edhe në ligjin për procedurat tatimore.

Kështu, nëse kompanitë nuk paguajnë në kohë tatimin korporativ apo mbi të ardhurat personale do të ketë gjoba proporcionale dhe jo fikse. Çdo ditë e papaguar, gjobës do t’i shtohet një kamatë me 0.06% e detyrimit.