Sport

Liga Unike për femra/ Penza konfirmohet ‘mace e zezë’ për Flamurtarin


Kampionet e Kosovës, Penza, kanë arritur të mposhtin Flamurtarin e Vlorës në javën e parë të Ligës Unike për femra me rezultatin 83:91. Kështu vajzat nga Peja konfirmohen “mace e zeze” për vlonjatet, pasi i kanë mundur edhe më herët gjatë Superkupës Mbarëkombëtare, të cilën edhe e fituan më pas.

Çereku i parë ishte shumë interesant, ku shumë herë u barazua rezultati gjatë kësaj pjese, ndërsa epërsia më e lartë e vendaseve ishte 17:10, por mysafiret nuk lejuan shkëputjen dhe 10 minutat e para përfundojnë me rezultat 21:19.

Skuadra nga Vlora e nisi më mirë periudhën e dytë, duke pasur epërsi deri në dhjetë pikë, 37:27, megjithatë, kampionet e Kosovës ngushtuan shifrat në 37:36, kurse pjesa e parë përfundon me rezultat 47:42.

Dallimi i madh u bë në periudhën e tretë, ku fitueset e Superkupës Mbarëkombëtare barazuan shifrat në 47:47 dhe krijuan epërsi deri në 12 pikë, 58:70, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në 10 minutat e fundit, Penza menaxhoi lojën dhe ruajti epërsinë, për të triumfuar me rezultat 83:91.

Te Flamurtari u dalluan Laura Johnson me 29 pikë e gjashtë kërcime, Tea Memushi me 14 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime dhe Samra Omerbasic me 15 pikë e 11 kërcime, ndërsa te Penza u dalluan Rael Whitsitt me 27 pikë e 17 kërcime dhe Ariana Beamon me 27 pikë e tetë asistime.

Ditën e mërkurë, Bashkimi fitoi bindshëm 94:53 përballë Partizanit dhe Prishtina 97:57 përballë Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore