Liga e Konferencës/ Shkëndija shënon fitore të madhe në udhëtim

SHFLETO
albanianpost
21.07.2022 18:57
Loading Icons...

Shkëndija ka shënuar fitore të madhe, teksa në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës, e ka mposhtur ekipin letonez, Valmiera me rezultat 1:2.

Pjesa e parë nisi me një ritëm disi më të mirë për vendasit, të cilët patën një rast të artë në minutën e pestë, por Djibril Gueye gaboi me portën e boshatisur.

Vetëm katër minuta më vonë, kuqezinjtë e gjetën golin e avantazhit, kur Ljupce Doriev lëshoi një goditje perfekte nga krahu i majtë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Shkëndija më pas pati disa raste të mira gjatë pjesës së parë, madje duke goditur edhe shtyllën, por fati nuk ishte në anën e tyre.

Dhe, një minutë para se skuadrat të shkonin në pushim, Gueye përmirësoi gabimin e tij, duke shënuar i vetëm përball portës, pas një pakujdesie nga ana e tetovarëve.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, teksa në fraksionin e dytë, dyja skuadrat ishin kërkuese.

Por, ishin kuqezinjtë nga Tetova ata që gjetën golin e epërsisë, kur në minutën e 63-të, Sindrit Guri realizoi një gol shumë të bukur me kokë duke shfrytëzuar harkimin perfekt të Valmir Nafiut.

Në vazhdim të lojës, skuadra vendase tentoi ta barazonte ndeshjen, por Shkëndija u mbrojt mirë, kështu duke krijuar një komoditet për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet një javë më vonë në Tetovë.