Përballje

Liga e Konferencës/ Laçi dominon por nuk ia del ta fitojë ndeshjen e parë ndaj malazezëve


Laçi nuk ka shkuar përtej një barazimi pa gola në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndaj ekipit malazez, Iskra.

Përkundër se dominuan të gjithë takimin, ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” rezultoi të jetë më e vështirë seç pritej për skuadrën e Laçit.

Akinyemi, Guindo dhe Mazrekaj tentuan në disa raste që të gjenin rrugën drejt rrjetës gjatë pjesës së parë, megjithatë ishin të pafat.

Ndërsa në përfundim të kësaj pjese ishte portieri Dajsinani ai që bëri heroin, ndërsa realizoi dy super pritje duke mbajtur të paprekur portën e Laçit.

Edhe pjesa e dytë u dominua nga djemtë e Shpëtim Duros, të cilët e nisën këtë fraksion më kërkues, duke e mbajtur topin në gjysmëfushën e Iskra-s.

Në disa raste të njëpasnjëshme kurbinasit kërkuan të gjenin rrugën drejt rrjetës, por pa sukses.

Ndërkohë flagrant mund të cilësohet minuta e 66-të, kur një nga mbrojtësit e malazezëve bëri ndërhyrje të gabuar ndaj Akinyemit në zonë, megjithatë për arbitrin gjithçka ishte e rregull dhe nuk akordoi penallti për skuadrën shqiptare.

Ndeshja e kthimit në Mal të Zi do të luhet pas një jave, pra më 14 korrik në Podgoricë, dhe ekipit të Laçit i duhet me patjetër fitorja që të sigurojë vazhdimësinë në raundin tjetër të kësaj gare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore