Përballje

Liga e Konferencës/ Ekipet shqiptare kërkojnë kualifikimin në raundin e tretë


Këtë të enjte do të luhen ndeshjet e kthimit të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës, ku mes tjerash do të zbresin në fushë edhe ekipet shqiptare.

Ndeshja më e rëndësishme do të jetë ajo mes Dritës dhe ekipit belg, Antwerp, që do të zhvillohet me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Gjilanasit kanë marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, duke luajtur pa gola në udhëtim, andaj sonte shpresojnë të bëjnë befasinë.

Ndeshje interesante do të ketë edhe Vllaznia e Shkodrës. Shkodranët këtë radhë do të luajnë në udhëtim te rumunët e Universitatea Craiova për të shpresuar një fitore që të vazhdojnë tutje.

Ndeshjen e parë në “Loro Boriçi” ka përfunduar me rezultat 1:1.

Ndërkohë, mision më të vështirë për kualifikim tutje do ta ketë Tirana.

Kryeqytetasit do ta kërkojnë kualifikimin në udhëtim te boshnjakët e Zrinjski-it, derisa takimi i parë i zhvilluar në Tiranë kishte përfunduar me rezultat 0:1 në disfavor të bardhekaltërve.

Kualifikimin në raundin e tretë do ta kërkojë edhe skuadra e Laçit. Kurbinasit luajnë në shtëpi kësaj radhe në ndeshjen e dytë ndaj ekipit të Moldavisë, Petrocub.

Në ndeshjen e parë në udhëtim, Laçi pati një performancë shumë të mirë, sidomos duke pasur parasysh që në shumicën e ndeshjes ata luajtën me një futbollist më pak në fushë.

Pesëshen e skuadra shqiptare që do të zbresin sonte në ndeshjet e Ligës së Konferencës e përmbyll Shkëndija.

Kuqezinjtë e Tetovës do të ballafaqohen në shtëpi me Valmiera-n dhe do ta kenë më të lehtë kualifikimin, pasi që ndeshjen e parë e fituan në udhëtim me shifrat 1:2.

Ndërkohë, vlen të theksohet se kalimin tutje në raundin tjetër nga skuadrat shqiptare e ka siguruar Ballkani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore