Lajme

Lidhja me Libinë: Një raport i ri nënvizon rolin e Gadafit në Masakrën e Mynihut


Një raport i ri ndërkombëtar, i bazuar në dosje sekrete të inteligjencës dhe burime të besueshme, synon të provojë se Libia financoi dhe drejtoi sulmin terrorist në Lojërat Olimpike të Mynihut të vitit 1972, në të cilin u vranë 11 atletë izraelitë.

Raporti u përgatit nga firma ligjore holandeze “Knoops’ Advocaten” në emër të të afërmve të viktimave izraelite, për një proces gjyqësor, nëpërmjet të cilit synohen 165 milionë dollarë dëmshpërblime nga financat libiane, të cilat aktualisht janë të ngrira në bankat gjermane.

Teksa në shtator shënjohet 50-vjetori i masakrës, familjet e viktimave izraelite kanë kërcënuar se do të bojkotojnë një ngjarje përkujtimore të organizuar në Gjermani.

Raporti pretendon se, në gusht të 1972-shit, një muaj para sulmit, Yasser Arafat dhe zëvendësi i tij, Salah Khalaf (i njohur si Abu Iyad), udhëtuan për në Tripoli, ku u takuan me udhëheqësin libian Muammar Gadafi dhe i kërkuan atij të financonte operacionin, i cili në atë moment ishte në fazën përgatitore.

Duke cituar dosjet e inteligjencës gjermane, raporti thotë se Gadafi – i cili kishte krijuar një fond të posaçëm për të financuar grupet terroriste palestineze – u dha atyre 1 milion sterlina (ekuivalente me 50 milionë dollarë sot).

Raporti i inteligjencës, që mbështet padinë, hedh dritë të re mbi lidhjen midis regjimit të Gadafit dhe një prej sulmeve terroriste më famëkeqe të shekullit të 20-të.

Në raport theksohet se terroristët palestinezë, të cilët kryen sulmin, u trajnuan në Libi nga shërbimi i inteligjencës dhe ushtria e Gadafit.

“Mjeshtri” i sulmit, Mohammad Daoud Oudeh (aka Abu Daoud) u mor në pyetje nga inteligjenca jordaneze vite pas sulmit dhe tha se disa nga terroristët mbërritën në Bavari nga Tripoli.

Ai citon gjithashtu dokumente nga Agjencia e Brendshme Gjermane e Inteligjencës (BfV), e cila përgjonte bisedat telefonike nga disa dhoma hoteli të terroristëve nga Mynih-i drejt Libisë.

Gjithashtu, pretendon se disa nga terroristët përdorën pasaporta të rreme libiane dhe se armët e përdorura në masakër u kontrabanduan në Gjermani nëpërmjet diplomatëve libianë.

Një tjetër provë e cituar në raport është dëshmia e Willi Pohl (aka Willi Voss), aktivist neo-nazist që mbështeti Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Ai u arrestua nga shërbimet e sigurimit të Gjermanisë Perëndimore pas masakrës, por më vonë arriti të arratisej në Bejrut.

Gjatë marrjes në pyetje, ai tregoi se ishte takuar me Abu Daoudin dhe diplomatë libianë përpara sulmit. Gjatë takimit, atij iu kërkua të mblidhte armë për PLO-në, të cilat ishin të ruajtura në një depo në Spanjë dhe gjë të cilën ai kishte rënë dakord ta bënte.

“Armët, si dhe ato që shërbyen për sulmin olimpik, erdhën prej andej”, rrëfeu ai.

Salah Khalaf shkroi në kujtimet e tij se ai personalisht i dorëzoi armët në Mynih, pasi udhëtoi në Gjermaninë Perëndimore me një burrë dhe një grua tjetër. Në aeroportin e Mynihut, ata vendosën valixhet e tyre në karrocat e bagazheve dhe u nisën drejt doganës.

Katër valixhe, të cilat i përkisnin Khalafit dhe shoqërueses ishin të mbushura me armë, ndërsa bagazhi i burrit tjetër ishte i pastër.

Ndërsa Khalaf dhe gruaja ecnin me qetësi përpara, burri tjetër e përplasi qëllimisht karrocën e tij me një pasagjer tjetër për të shkaktuar shpërqendrim.

Doganierët e ndaluan, kontrolluan valixhen e tij dhe nuk gjetën asgjë të dyshimtë. Ndërkohë, Khalafi dhe gruaja kishin kaluar.

Së bashku me Abu Daoudin, ata i ruajtën armët në dollapë në stacionin hekurudhor të Mynihut.

Disa ditë më vonë, terroristët mblodhën armët, i futën në çantat e tyre dhe, duke u paraqitur si atletë, hynë në Fshatin Olimpik. Rojet ishin aq joprofesionistë, saqë i lanë të futeshin pa asnjë pyetje.

Pjesa tjetër e historisë, duke përfshirë dështimin e Gjermanisë për të parandaluar sulmin, ose për të shpëtuar jetën e atletëve izraelitë, është përshkruar në mijëra artikuj, libra dhe filma gjatë viteve.

Dështimi gjerman u pasua nga një aferë e jashtëzakonshme që çoi në lirimin e tre terroristëve palestinezë, që i mbijetuan sulmit të Mynihut.

Më 29 tetor 1972, më pak se dy muaj pas sulmit, fluturimi 615 i Lufthansa-s nga Bejruti në Frankfurt u rrëmbye nga terroristët, të cilët kërkuan lirimin e shokëve të arrestuar për pjesëmarrjen e tyre në masakër.

Qeveria gjermane nxitoi të lironte tre terroristët dhe u pagoi rrëmbyesve, anëtarë të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, një shpërblim prej 9 milionë dollarësh. Vrasësit e Mynihut zbarkuan në Tripoli dhe u mirëpritën nga Gadafi si heronj.

Në vitin 2013, një program televiziv investigativ gjerman, “Report München”, zbuloi se 11 ditë para rrëmbimit, shefi i policisë së Mynihut i kishte shkruar ministrit të Brendshëm bavarez, duke thënë se ishin marrë masa për të “përshpejtuar dëbimin” e sulmuesve të Mynihut, në vend që të përgatiteshin që ata të dilnin në gjyq.

Ish-kreu i Mossad-it, Zvi Zamir, “në 2005 më tha se ideja e tij ishte që rrëmbimi ishte një sharadë e koordinuar me përfshirjen gjermane”

“Burracake dhe qesharake”

Menjëherë pas sulmit të Mynihut, ndërsa arkivolet e 11 izraelitëve të vrarë po dërgoheshin në shtëpi, Gjermania dërgoi 1 milion dollarë për të kompensuar familjet e viktimave. Për të shmangur çdo aluzion të fajit të qeverisë, pagesa u bë përmes Kryqit të Kuq Gjerman.

“Ne menduam se kjo qe një ofertë burracake dhe qesharake,” thotë Ankie Spitzer, burri i së cilës, Andre, ishte në mesin e viktimave.

Spitzer dhe Ilana Romano, burri i së cilës, Yossef, u vra gjithashtu në atë atentat, janë në krye të betejës ligjore në emër të familjeve të viktimave.

“Ne nuk jemi duke e bërë për paratë. Ne duam vetëm drejtësi dhe njohje”, shpjegoi Spitzer. “Qeveria gjermane na gënjeu, fshehu dokumente dhe u soll në mënyrë cinike, duke refuzuar të merrte përgjegjësinë për gabimet dhe neglizhencën e saj”.

Pas dekadash betejash ligjore dhe politike, qeveria gjermane ra dakord në vitin 2004 t’u paguante familjeve rreth 3.2 milionë dollarë kompensim.

Më shumë se dy të tretat e atyre parave shkuan për avokatët izraelitë dhe gjermanë për të mbuluar shpenzimet e tyre.

Megjithatë, ky nuk ishte fundi i historisë.

Disa vite më parë, Spitzer dhe Romano mësuan se bankat gjermane po mbanin 7 miliardë dollarë të depozituara atje nga Gadafi dhe regjimi i tij. Ato para, të ngrira në vitin 2011, mbeten në duart e gjermanëve, ndërkohë që Gadafi nuk jeton më prej kohësh dhe vendi i tij është në kaosin e një luftë civile pa fund.

Spitzer dhe Romano iu drejtuan qeverisë gjermane dhe i kërkuan asaj që të zhbllokonte paratë, duke i paguar secilës familje 15 milionë dollarë. Autoritetet e Berlinit refuzuan, duke argumentuar se bankat gjermane veprojnë si administratorë të fondeve libiane në emër të Komitetit të Sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

“Nuk janë paratë tona, ne nuk mund t’i prekim”, u thanë zyrtarët gjermanë familjeve.

Për habinë e tyre, familjet zbuluan gjithashtu se qeveria izraelite nuk ishte e interesuar t’i ndihmonte ata.

Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, refuzoi të ndërhynte në emër të tyre, duke shpjeguar se, ndërsa simpatizonte luftën e tyre, nuk kishte asnjë autoritet në lidhje me Komitetin e Sanksioneve të OKB-së.

Spitzer dhe Romano gjetën një vesh më dashamirës te Carry Knoops-Hamburger, avokate e njohur holandeze e specializuar në të drejtën ndërkombëtare. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Prof. Alexander Knoops ranë dakord të përfaqësonin familjet në këmbim të një tarife të vogël simbolike.

Avokatët rekrutuan një ekip studiuesish gjermanë e amerikanë dhe së bashku me avokaten malteze Dr. Francesca Zarb, përpiluan raportin e inteligjencës mbi lidhjen libiane.

“Vendimi për të kërkuar paratë libiane është i bazuar në precedent”, tha Knoops-Hamburger për gazetën izraelite “Haaretz”.

Në vitin 2003, regjimi i Gadafit pagoi 2.7 miliardë dollarë për familjet e 259 pasagjerëve e ekuipazhit, dhe 11 familjeve të qytetarëve skocezë, të cilët u vranë në bombardimin e “Lockerbie-së” të vitit 1988, që ishte vepër e inteligjencës libiane.

Dhe në vitin 2004, Gadafi kompensoi familjet e dy marinsave amerikanë që u vranë në një sulm të kryer nga inteligjenca libiane në Berlin.

“Gjermania na e dha me vështirësi neve kompensimin”, tha Spitzer, “por ishte e qetë për paratë e shpërblesës që u dha terroristëve të PFLP. Ne nuk i pranojmë justifikimet e tyre. Nëse paratë libiane ngrihen përkohësisht, ne kërkojmë që autoritetet gjermane të na kompensojnë dhe më pas – kur të vendoset një qeveri e përhershme – ata mund t’i zbresin ato nga llogaritë e ngrira libiane”.

Qeveria gjermane, së bashku me qeverinë provinciale të Bavarisë dhe komunën e Mynihut, aktualisht po shpenzojnë miliona euro për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive dhe kulturore për 50-vjetorin e ardhshëm, në përkujtim të ngjarjes.

Mijëra të ftuar dhe personalitete, të udhëhequr nga presidentët e Gjermanisë dhe Izraelit, do të marrin pjesë në përkujtimore.

Familjet, megjithatë, po kërcënojnë se do të bojkotojnë përvjetorin nëse kërkesat e tyre financiare nuk plotësohen.

“Unë jam 76 vjeç”, tha Spitzer. “Për ne, ky është shansi i fundit për të parë drejtësinë të vihet në vend”.

Në një deklaratë, Ambasada e Gjermanisë në Tel Aviv tha se “edhe 50 vjet pas sulmit terrorist gjatë Lojërave Olimpike, ky krim i neveritshëm është gdhendur në kujtesën tonë. Zemrat tona janë me viktimat dhe familjet. Qeveria gjermane po përballet në mënyrë aktive me këtë temë. Kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore, përfshirë edhe dëmshpërblimin”.

Masakra e Mynihut është një ngjarje e ndodhur në vitin 1972, gjatë Lojërave Olimpike të po atij viti në Mynih.

Shkak është bërë konflikti izraelito-palestinez, ku tetë anëtarë të grupimit terrorist palestinez “Black September”, morën peng nëntë anëtarë të ekipit olimpik izraelit pasi vranë dy të tjerë.

Më pas, në përshkallëzim të situatës, u vranë gjashtë trajnerë izraelitë, pesë atletë të Izraelit, pesë pjesëtarë të grupimit “Black September” dhe një polic i Gjermanisë Perëndimore.

Në total, 12 viktima u shkaktuan dhe pesë terroristë u vranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore