Liderët në Ukrainë po bëjnë disa analogji të gabuara mes situatës në Donbas, Krime dhe Kosovë, thotë Kurti  

Ne duam që Ukraina të fitojë
SHFLETO

Albin Kurti

 

Dreni Himbeqa
01.10.2024 22:36
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve ukrainase UNIAN, ka potencuar se autoritetet ukrainase po bëjnë disa analogji të gabuara kur është në pyetje çështja e Kosovës dhe njohja e saj nga Ukraina.

I pyetur a ka ndonjë përparim në marrëdhëniet ndërmjet liderëve të Ukrainës e Kosovës, Kurti ka thënë se autoritetet ukrainase po bëjnë analogji të gabuar mes situatës në Donbas, Krime dhe Kosovë.

“Sa për mua, nëse ka paralele, kjo është vetëm midis forcave proruse dhe strukturave ilegale të Rusisë në Krime dhe Donbass dhe strukturave serbe që kemi në Kosovë, veçanërisht në Veri”, ka potencuar ai.

Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Kurti ka potencuar se Kosova është e indinjuar nga ky agresion ushtarak “i paligjshëm, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë”.

“Ne duam që Ukraina të fitojë. Kjo fitore, nga këndvështrimi im, do të thotë çlirim i të gjithë territorit të vendit nga trupat ruse, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, respektim i sovranitetit shtetëror dhe të drejtave të njeriut”, ka shtuar ai.

Mbështetja e Kosovës ndaj Ukrainës, sipas Kurtit ka edhe qëllime politike.

“Një arsye tjetër për mbështetjen tonë për Ukrainën është më shumë politike, e lidhur me pasojat e mundshme për Ballkanin. Mund të supozohet se Rusia ka plane për të zgjeruar luftërat që po bën. Përfshirë territorin e rajonit të Ballkanit”.