Shqipëria

Liderët evropianë do t’i mirëkuptojnë protestuesit, thotë Berisha


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se liderët evropianë të cilët do të marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor, do t’i mirëkuptojnë protestuesit.

Lajmi u bë i ditur gjatë mbledhjes me kryetarët e degëve të PD-së.

“Në datën 6 (dhjetor) nuk mblidhen 30 diktatorë, por lider të zgjedhur me votë të lirë, ndaj kam besim se ata kanë mirëkuptim për një popull që proteston për të njëjtat vlera që i kanë bërë popujt e tyre të lirë dhe demokratik”, u shpreh fillimisht Berisha.

Sipas kryedemokratit, protesta do të jetë paqësore pasi organizatorët e saj i dinë detyrimet që kanë për sigurinë dhe mikpritjen.

“E themi këtu, kjo do jetë një protestë paqësore. Ne i dimë detyrimet që kemi për sigurinë dhe për mikpritjen dhe këto nuk i ngatërrojmë në asnjë lloj rrethane, por zëri ynë do të jetë i pranishëm aty”, garantoi ish-kryeministri shqiptar.

Berisha e ka cilësuar këtë “përpjekje” si një betejë e cila ndalet vetëm në fitoren e PD-së.

Por, ai shtoi se kjo rrugë kërkon përkushtim, guxim dhe atdhetari.

“Le t’u bien sa të duan sirenave të tmerrit dhe të frikës, por ajo protestë do të rezonojë fuqishëm si zëri i qytetarëve që kërkojnë që vlerat demokratike duhet të jenë ato që duhet të sundojnë në Shqipëri”, theksoi kryedemokrati.

Protesta e 6 dhjetorit, turp apo vlerë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore