Kosova

Liderët e BE-së i “përvjelin mëngët”, gati për “betejën e re” të dialogut


Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i vetëdijshëm se kanë humbur shumë kohë pa rezultate të prekshme dhe se duhet një hov i ri për të normalizuar situatën politike në veriun e trazuar të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Lajçak ka paralajmëruar hapa të rinj dhe udhë të reja, duke hapur kështu edhe dyer të reja për dalje nga kriza. Sipas tij, sëpari duhet tejkaluar sfidat e sigurisë në Veri të Kosovës, pastaj të fillojë zbatimi i Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

E për t’u përgatitur për “betejën e re” të dialogut dhe për të forcuar përpjekjet e përbashkëta, diplomati sllovak ka zhvilluar takimin e parë të sezonit politik me Emisarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, javën e kaluar në Bruksel.

“Përderisa ritmi në Bruksel është ngadalësuar gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk janë zhdukur. Një fushë e veçantë që ka mbetur lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës”, ka deklaruar Lajçak, i cili, vazhdimisht e ka përshkruar normalizimin e marrëdhënieve “interes nacional” të Kosovës dhe “çështje ekzistenciale”.

Madje, ai ka shkuar një hap më tej. Në kuadër të Forumit Strategjik të Sigurisë që këtë vit po mbahet në Bled të Sllovenisë, diplomati sllovak ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për t’u përgatitur për, siç ka thënë ai, organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut menjëherë në muajin shtator.

“Pata një takim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti, sot në Bled. Temat qendrore të diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të nivelit të lartë të dialogut në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës të 3 qershorit”, ka nënvizuar Lajçaku.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar ka kërkuar vazhdimisht që “marrëveshja historike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zbatohet “shpejt dhe pa kushtëzime”, ndërsa në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-së, ka shprehur nevojën për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke Kosovë-Serbi, madje edhe defacto edhe dejure.

“Diskutuam mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Me procesin e ri-fokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke – de-jure dhe de-facto”, ka thënë kryeministri Kurti pas takimit me Lajçakun.

Lajçaku nga ana tjetër ka paralajmëruar se para kthimit në Bruksel, do t’i shkojë për vizitë në Beograd edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar hapat e mëtejmë drejt zbatimit të angazhimeve që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel (27 shkurt) dhe më pas në mes të marsit në Ohër (18 mars).

Tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës duhet t’i inkurajojnë palët që të dëshmojnë se janë kombe me kurriz dhe që i kontribuojnë paqes në rajon dhe më gjerë, ndërsa dështimi për të punuar në këtë drejtim dhe për t’iu përgjigjur sfidave të reja në mënyrë konstruktive, do të ketë pasoja serioze për të dyja palët.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, derisa ka folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, ka kërkuar “një ri angazhim të qartë nga të dyja palë”, veçanërisht sa i përket paqësimit të situatës në veriun e Kosovës.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike. Ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, ka thënë Macron para diplomatëve francezë.

Megjithatë, për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nga BE-ja kanë konsideruar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.

E zgjedhjet lokale në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok – të mbajtura në muajin prill, sipas Lajçakut, ishin “mina tokësore”, ku ka shkelur gabimisht bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët në terren kanë nxjerrë ndonjë mësim nga kjo përvojë e pakëndshme.

Ndonëse është ende herët të priten “rezultate spektakolare”, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të hyjë në fazën përmbyllëse. Duke qenë se për rezultate është herët të flitet, ekizton bindja e diplomatëve evropianë se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore