Lajme

Liderët e BE-së diskutojnë për situatën mes Kosovës dhe Serbisë


Liderët e Bashkimit Evropian.

Të premten liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në Granada të Spanjës, për të diskutuar edhe rreth situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensionet që ndodhën të dielën e 24 shtatorit.

Kështu kanë bërë të ditur burimet diplomatike për Radio Evropën e Lirë duke thënë ekziston një presion nga shumë vende anëtare që të vendosen masa ndaj Serbisë.

Një ditë para samitit të Bashkimit Evropian, në margjina të një samiti të Bashkësisë Politike Evropiane, janë zhvilluar disa takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, por që nuk është arritur që të organizohet një takim mes tyre.

Një grup i armatosur terrorist të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore