Lajme

Liburn Aliu tregon për Albanian Post pse s’është më në kryesinë e Vetëvendosjes


Liburn Aliu

“Nuk kam kandiduar vetë”, ka thënë shkurt Liburn Aliu për Albanian Post, i pyetur përse mungon emri i tij në kryesinë e re të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aliu përveç se anëtar i kryesisë së kaluar është edhe një nga figurat kryesore të Vetëvendosjes qysh nga themelimi i Lëvizjes që më vonë u shndërrua në parti.

Ai aktualisht është ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit në Kosovë dhe gjatë ditës ka pasur aludime nuk është rizgjedhur për shkak të përformancës së dobët si ministër dhe disa skandaleve, siç ishte ai për shtëpinë në lagjen Marigona, apo edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi me një universitet privat ku është vetë i punësuar, por Aliu shkurtimisht ka thënë për AP se nuk ishte interesim i tij personal që të ishte sërish në kryesi të partisë.

I pyetur përse ky vendim, ai nuk ka dashur të komentojë tutje.

Por, mungesa e Aliut nuk është ndryshimi i vetëm në kryesinë e re të partisë në pushtet.

Kryesia e re e VV-së, kush udhëheqë me partinë më të madhe në vend?

Lëvizja Vetëvendosje të dielën e 23 tetorit ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku edhe është përcaktuar struktura e re e partisë për katër vitet e ardhshme.

Përmes një njoftimi të LVV-së në rrjetin social Facebook, janë bërë të ditur emrat që do të udhëheqin me pozitat kyçe brenda partisë.

Zëvendësi i parë i Albin Kurtit do të jetë kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka zënë vendin e Besnik Bislimit, kurse zëvendës i dytë do të jetë Mrika Limani-Myrtaj, pozitë të cilën e mbante Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Albin Kurti

Sekretar Organizativ i partisë do të jetë Alim Rama, që zëvendëson Vlora Haxhimehmedin, për të cilën kryetari i VV-së pati një falënderim të veçantë.

“Përmes punës së palodhshme, kursimit të kujdesshëm, dhe të ndershmërisë, ka vendosur një transparencë absolute në gjithë funksionimin e Lëvizjes tonë kaq të madhe”, vlerësoi ai.

Pozitën e Kryesuesit të Këshillit të Përgjithshëm do ta plotësoj ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e cila ia zë vendin Hydajet Hysenit kurse kjo e fundit do ta ketë për zëvendës, Boiken Abazin.

Koordinatore e Komiteteve do të jetë Dejona Mihaili kurse Drejtues i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare do të jetë Hajrullah Çeku.

Ndërkaq, Sekretariati për Media dhe Komunikim do t’i besohet sërish Arlind Manxhukës.

Anëtarët e Kryesisë, përveç anëtarëve tjerë që përcaktohet me automatizëm nga pozita që bartin, janë zgjedhur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Brendshëm, Xhelal Sfeçla, Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ish-kandidati për Kryetar të Prishtinës, Arben Vitia.

Po ashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollcaku, Fitore Pacolli, Tinka Kurti e Saranda Bogujevci. Nuk mungon Elvis Hoxha, Mytaher Haskuka dhe Arbër Zaimi.

Ndryshe, orgenet e reja udhëheqëse vijnë pas zgjedhje të brendshme të partisë më të madhe në Kosovë ku në garën për kryetar partie, Kurti s’ka pasur kundërkandidat dhe ka fituar në mënyrë absolute.

Nga numri i përgjithshëm i votave, Kurti mori 98.60 për qind pëlqim, me vetëm 0.89 për qind të votave kundër dhe 0.51 për qind abstenim.

Në këtë proces të gjatë ka pasur shumë pakënaqësi. Në rreth 20 qendra ka pasur largime, pasi nuk janë lejuar të garojnë disa kandidat. Ata u kundërshtuan nga qendra në Prishtinë, që tashmë kishte vendosur se cilët janë kandidatët.

Në këto zgjedhje për herë të parë në Vetëvendosje është votuar edhe për kryetare të organizatës për gratë.

Në hapa të Kurtit dhe afër shifrave të tij ka dalur edhe Albulena Haxhiu – edhe kjo pa kundërkandidate.

Mbi 94 për qind kanë votuar pro Haxhiut, derisa vetëm 2.8 për qind kanë qenë kundër e 2.6 kanë abstenuar.

Gjithashtu, si risi ishte edhe zgjedhja e kryetarit të të rinjve të Vetëvendosjes.

Behar Jashari ka siguruar mbështetje prej 85.55 për qind të anëtarësisë. Edhe ky pa kundër kandidat, mori 7.55 për qind kundërshtim dhe 6.8 abstenuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore