Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Adi – Ujë Lubeteni” borxhin prej 1 milion eurove për vetëm 48 mijë euro
Foto nga Albanian Post
Valon Rashiti
20.04.2024 19:59Kompania “Adi Group” që prodhon ujin e ambalazhuar Lubeteni, kishte grumbulluar nga viti 2011 borxh ndaj shtetit prej 977 mijë e 832 eurove, por Liburn Aliu, bashkë me vartësin e tij, Naser Hafizi, përmes procedurave të kundërligjshme ia kanë mbyllur këtë borxh 11 vjeçar për vetëm 48 mijë e 783 euro.
Kështu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Hafizin, që mban pozitën e zëvendësuesit të Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, në vetëm këtë rast shkaktuan humbje prej 929 mijë eurosh.
Albanian Post posedon dokumentet e plota për këtë rast që dëshmojnë se si iu shlye borxhi kësaj kompanie nga dyshja Aliu e Hafizi.
Historia
“Adi Group” kishte marrë leje ujore nga ministria në vitin 2010 për të shfrytëzuar ujërat nëntokësore të Kosovës.
Leja ia lejonte nxjerrjen e 2 litrave për sekondë.
Nga i viti 2010 e deri në vitin 2022 kjo kompani asnjëherë nuk i kishte bërë pagesat ndaj shtetit me të cilat e obligon ligji e as nuk kishte raportuar.
Meqë “Adi” nuk kishte raportuar për shpenzimin, sipas Udhëzimit Administrativ “06/2021” për strukturën e pagesës së ujit, Neni 9-të, paragrafi 2, “Nëse detyruesi nuk mban evidencë dhe nuk e bënë raportimin, ose bënë raportimin me dhëna të dyshimta dhe të pasakta, deri me 15 janar për vitin paraprak, Ministria në afat prej tridhjetë (30) ditësh i lëshon vendimin dhe faturën duke llogaritur në bazë të të dhënave nga dokumentacioni teknikoinvestiv për sasinë maksimale”, atëherë grupi punues brenda ministrisë ia kishte kalkuluar borxhin dhe konstatohej se kjo kompani duhet të paguante 977 mijë e 832 eurove.
Por Aliu e Hafizi vendosni fillimisht që t’i dërgojnë një “vendim preliminar”, përmes një procedure të kundërligjshme që e njoftonte kompaninë për borxhin.
Këtu fillon edhe keqpërdorimi i parë financiar, ku në dokumentin e nënshkruar nga Hafizi nuk transmetohet as shuma e plotë.
Hafizi e njofton kompaninë se borxhin që duhet ta paguajë është vetëm 216 mijë euro, pa u shpjeguar fare se ku mbetën edhe mbi 761 mijë euro të tjera.
Ky dokument lëshohet me datën 28 mars 2022.
Por, siç kuptohet më vonë nga një vendim financiar, prapë i lëshuar nga Hafizi, i datës 30 mars 2023, borxhi i akumuluar për 11 vjet mbyllet me vetëm 48 mijë e 783 euro e 94 cent.
Si përfundim, në vetëm këtë rast, Aliu e Hafizi avullojnë mbi 929 mijë euro.
Ky është vetëm një nga 27 rastet e një operimi të tillë të kundërligjshëm.
Albanian Post do të raportojë në vazhdimësi për të gjitha rastet që posedon marrë nga një pjesë e dosjes për këtë rast që si total kap keqpërdorimin e rreth 90 milionë eurove.
Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit