Shqipëria

Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri, rritje me 31.3% në shtator


Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në Shqipëri për muajin shtator kanë pësuar rritje me 31.3% krahasuar me një vit më parë.

Ky është përfundimi i Institutit të Statistikave (INSTAT), në raportin e publikuar më 22 tetor.

Për sa u përket shifrave në afate më të gjata, nëntëmujore, kjo rritje ka qenë 2.3 herë më e lartë.

Polonia dhe SHBA-të janë dy vendet me hyrjet më të larta në Shqipëri. 4.6 herë më shumë shtetas polakë janë futur në territor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa Shtetet e Bashkuara 4.3 herë më shumë.

Ajo që bie në sy është rasti i Greqisë.

Ndryshe nga vitet e tjera, ka qenë në shifrën 8.6 herë më shumë këtë vit.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shtator 2021 ishin 366 mijë e 568.

Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ky numër është rritur me 35 %.

Ndërsa, daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shtator 2021 ishin  594.774. Krahasuar me shtatorin 2020-ën, ky numër është rritur me 36,9 %.

Lidhur me arsyet e ardhjes së të huajve në Shqipëri, renditen disa. Arsyet personale zënë peshën kryesore, pasuar nga arsyet e tjera, si shëndetësore, pushime dhe vizita.

Qëllimet fetare zënë numrin më të ulët për gjitha periudhat.

Mënyrat e udhëtimit janë përmes ajrit, detit dhe tokës. Kjo e fundit ka numrin më të lartë të kalimit të shtetasve si për hyrje dhe dalje në Shqipëri.

Gusht – Hyrje-daljet në Shqipëri rritje të konsiderueshme nga një vit më parë

Ndërsa, hyrja e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar ka pësuar rritje me 2.6 herë më shumë në gushtin e vitit 2021, duke e krahasuar me atë të një viti më parë, sipas INSTAT.

Gjatë muajit gusht në Shqipëri kanë hyrë 1 milion e 537 mijë e 191 shtetas, ndërsa në gusht të 2020-ës kjo shifër ka qenë 575 mijë e 559 persona.

Pra, këtë vit rritja është me 2.7 herë.

Peshën me të madhe në këtë shifër e ka zënë shteti i Kosovës, ndërsa më të ulëtën Spanja.

Për sa u përket daljeve të shtetasve të huaj, shifra këtë vit arriti në 1 milion e 476 mijë e 830 persona, ndërsa një vit më parë kishte dyfish më pak.

Ndërsa për sa u përket shtetasve vendas, në 2021 lëvizja e tyre ka qenë dyfish më e lartë për sa u përket daljeve dhe trefish më e lartë në shifrat e hyrjeve.

Treguesi i lëvizjes së shtetasve është matur dhe në një periudhë më të zgjatur, bazuar në shifra të tetëmujorit të vitit 2020 dhe 2021.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë tetëmujorit të 2021-it, ishte 4 milionë e 384 mijë e 72, duke u rritur me 2.5 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Gjatë kësaj periudhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kryesuese, duke pasur rritjen më të lartë pasuar nga Polonia.

Ndërsa, lidhur me shtetin që ka pësuar uljen më të ndjeshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, është Greqia.

Arsyet e lëvizjeve janë të ndryshme, ku pushimet zënë peshën kryesore në numra, pasuar nga udhëtarët transit.

Lidhur me mënyrën e hyrjes në territor ose daljen, transporti nga toka është më i larti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore