Lajme

Lëvizja Vetëvendosje prioritet ndryshimet e Ligjit për zgjedhje para Presidentit


Nga holli i Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i Lëvizjes së Vetëvendosje ka proceduar për Kryesin e Kuvendit “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje në lidhje me votimin e mërgatës sonë në ambasada dhe konsullata”.

Si u.d e kryesuesit të Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka mbajtur një konferencë për media në ora 15:00, në të cilën ka njoftuar mediat se si grup parlamentar kanë dorëzuar edhe një kërkesë për dy kandidatura për President të vendit, përkatësisht kandidaten Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Ky i fundit vije po ashtu nga lista Osmani e cila iu bashkua listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale.

Më tej, u.d. e kryesuesit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Kusari-Lila bëri të ditur se seanca e parë për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje në lidhje me votimin e mërgatës sonë në ambasada dhe konsullata” do të mbahet sot në mënyrë që ky projektligj të kaloj në dy lexime të shpejta, ndërsa seanca tjetër për zgjedhjen e Presidentit, ajo u shpreh se ajo(seanca) do të mbahet varësisht nga premtimi i kohës, sot apo ditën në vijim.

Ndërsa nga ana tjetër, mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të thirrur nga LVV, e ka lëshuar Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza.

Ai para mediave është shprehur se nga mbledhja është larguar pasi që vendi ka shumë më tepër urgjenca se sa ndryshmin e ligjit për zgjedhje, si ajo e pandemisë dhe e gjendjes ekonomike. “Ne e kuptojmë rëndësinë e reformës zgjedhore dhe se ka nevojë për përmirësime në këtë fushë, por ne e dhamë mendimin që nuk pajtohemi që kjo çështje kaq e rëndësishme të trajtohet në këtë mënyrë dhe me urgjencë”, u shpreh Hamza

Ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri është shprehur se në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit e cila është mbajt pa prezencën e shefave të grupeve parlamentare, është marr vendim që në seancën e orës 17:00, të kemi përballë amendamentin e Ligjit për zgjedhje.

“Vetëm në vendet totalitare ndodh një gjë e tillë, që pa konsultim paraprak me subjektet politike të bëhen ndryshime në ligjin për zgjedhje. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshton këtë veprim, dhe kjo nguti e arrogancë e konfirmon një qasje totalitare. Ne si subjekt politik nuk i nënshtrohemi asnjë shantazhi. Unë nuk di në histori të Parlamentit që ka ndodhur ndonjëherë të vij një ligj për amandamentim kësi soji, me kaq nguti dhe pa konsulta” u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore