Leverkusen kockë e fortë për Bayern-in, por bavarezët ende ruajnë kreun e Bundesliga-s

Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen kanë barazuar në duelin e sotëm
SHFLETO
Romario Ismailaj
28.09.2024 20:30
Loading Icons...

Super përballja e kësaj të shtune në Bundesliga, mes rekordmenëve absolut të Bayern Munich-ut dhe kampionëve në fuqi të Bayer Leverkusen-it është mbyllur në barazim 1-1.

“Allianz Arena” priti ndeshjen e javës së pestë në Bundesliga, ku vendasit ngecën në barazim 1-1 duke prishur rekordin e përsosur deri më tani me katër fitore në po aq ndeshje.

Dy golat e takimit erdhën brenda pak minutash në pjesën e parë. Të parët realizuan miqtë me Robert Andrich në minutën e 31-të, i cili realizoi pas asistimit nga Granit Xhaka. Tetë minuta më vonë, Aleksandar Pavlovic shënoi një super gol me një gjuajtje nga distanca.

Ylli i Bayern-it, Harry Kane vendosi një rekord negativ në ndeshje. Për herë të parë në tre vjet, Kane dështoi të provonte një gjuajtje të vetme si lojtar titullar në një ndeshje lige, duke e bërë këtë për Tottenham-in jashtë fushe kundër Crystal Palace në shtator 2021.

Bayern-it do i duhet të presë së paku deri në ndeshjen e kthimit, në shkurt të 2025-ës, për të marrë një fitore ndaj Leverkusen-it, e cila mungon që nga shtatori i vitit 2022 (4-0).

Megjithatë, pavarësisht barazimit të sotëm, Bayern ende ruan kreun e Bundesliga-s me 13 pikë. Leipizg-u renditet i dyti me 13 pikë. Ndërsa, Leverkusen-i zë vendin e tretë me 10 pikë, po aq sa Borussia Dortmund-i.

Dy skuadrat do të kenë ndeshjet e radhës në UEFA Champions League gjatë javës së ardhshme. Bayern viziton Aston Villa-n, ndërsa Leverkusen-i pret Milan-in.

Në Bundesliga, dy ekipet rikthehen në fundjavë, ku Bayern përballet me Frankfurt-in, ndërsa Leverkusen-i me Kiel-in.

Bundesliga zhvilloi gjithashtu edhe pesë takime të tjera më herët këtë të shtunë: Mainz 0-2 Heidenheim, Gladbach 1-0 Union Berlin, Leipzig 4-0 Augsburg, Freiburg 0-3 St.Pauli dhe Wolfsburg 2-2 Stuttgart.

Të premten, Dortmund-i triumfoi 4-2 ndaj Bochum-it në “Signal Iduna Park”. Të dielën do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së pestë në Bundesliga: Kiel – Frenkfurt dhe Hoffenheim – Bremen.