Lenini, një roman rus: revolucioni është i sëmurë
Lenin me Inessa Fyodorovna Armand
Albanian Post
29.09.2024 8:08Njëqind vjet më parë vdiq Vladimir Iliç Lenin. Çdo muaj Ezio Mauro, gazetar italian, ish-drejtor i gazetës La Stampa dhe La Repubblica, kolumnist i njohur në Itali dhe autorë librash, rikthen historinë politike dhe njerëzore të Leninit në disa shkrime të cilat Albanian Post do i përshtasë.
Kjo është pjesa e katërt.
I pari që e vuri re ishte Leon Trotsky, pas xhamave ovalë të syzeve dhe skeletit të tyre të lehë, me të cilat ai shqyrtoi revolucionin. Ishte gjatë një mbledhjeje të Byrosë Politike që po zhvillohej si shpesh në pasditet bolshevike në Kremlin, kur Kamenev po fliste dhe Lenini u ngrit për t’i dorëzuar dikujt prej shokëve të tij një shënim të palosur me një pyetje, siç bënte shpesh, duke u përpjekur të bënte dy punë njëherësh. Vetëmn se ndërsa qëndronte në këmbë, me krahun e djathtë të shtrirë, u lëkund për një çast, pezull, sikur po bënte një gjysmë rrotullimi me veten: një çast tepër I shkurtër, përpara se të rifitonte menjëherë kontrollin.
Kur ngriti sytë, Trocki u shtang nga shprehja në fytyrën e tij. “Ajo kishte ndryshuar plotësisht”, sikur në atë moment Vladimir Ilyiç të kishte ndjerë një paralajmërim për boshllëkun dhe konfuzioni nga errësira të kishte mbetur në thellësi të syve të tij.
Ai kishte parë hendekun midis fuqisë dhe fundit: dhe ndoshta kjo nuk ishte as shenja e parë. I shqetësuar për atë moment që kishte shkelur në heshtje sekretin më intim të Kremlinit, Lev Davidovich nuk tha asgjë, por në kujtesën e tij I erdhi në mendje një imazh i natës së kongresit të parë të Kominternit në 1919, i cili tani u bë alarm: Ilyiç ulur i rraskapitur, ” vështrimi i lodhur, zëri i parregullt me hope, dhe buzëqeshja e një të sëmuri”.
Revolucioni nuk e dinte këtë, i qetësuar nga prania e vazhdueshme e Udhëheqësit të tij në Kremlin, i qetësuar nga përpjekja e tij e vazhdueshme e vullnetit, i ngushëlluar nga një aftësi kokëfortë për të punuar, duke ndjekur me ankth kohën që vazhdonte të ikte. Ai donte të shihte gjithçka, të kontrollonte të pamundurën, të informohej për gjithçka.
Ai shkruante, diktonte, lexonte, drejtonte mbledhjet, priste mysafirë, përgatiste konturet e fjalimeve me stilolaps. Bolshevikët e shihnin atë si të përqendruar, të vëmendshëm, të zhurmshëm, identik me veten e tij, me të njëjtat gjeste si gjithmonë dhe të gjithë të ardhmen përpara tij.
Në të vërtetë, e ardhmja, duke u ideologjizuar, po bëhej ajo që dotë vinte, edhe falë represionit të dhunshëm të Çekës, së cilës tani me një dekret iu dha liria në terrorin bolshevik, e fuqisë për të ekzekutuar komplotistët kundërrevolucionarë dhe për të filluar deportimin në kampet e përqendrimit që së shpejti do të bëheshin Gulagët Sovjetik.
Historia fillimisht ishte zhvendosur, më pas ishte vënë nën kontroll dhe tani koha dukej se rridhte vetëm në një drejtim, e udhëhequr dhe e mbikëqyrur nga Zoti i ri i tmerrshëm, partia. E megjithatë vetë Kreu i asaj partie mbante në heshtje brenda vetes të gjitha shenjat e një gërryerje të papritur, që çdo ditë shpallej si konfirmim dhe dukej se po i afrohej gjithnjë e më shumë pikës së thyerjes.
Pagjumësia, para së gjithash, e mallkuar çdo natë kur arrinte në kohë për t’i mohuar prehjen; ajo dhimbje koke e vazhdueshme, jo një migrenë, por një pincë, një kapuç; fjala që pengohej papritur, ndonjëherë, duke e lënë në boshllëk gjatë një fjalimi; sidomos rraskapitja në fund të ditës, kur i ndodhte të darkonte vetëm me një filxhan qumësht ndërsa ecte në kuzhinë, pasi kishte qenë i ulur që në mëngjes,gjatë ,mbledhjeve njëra pas tjetrës.
Ndonjëherë Nadezda i dëgjonte pulsin e tij, kur e shihte të zbehtë, të mprehtë, gati transparent, ose përkundrazi me fytyrën të shtangur nga një skuqje e papritur. Por ai kishte filluar të maste treguesit e tjerë të asaj sëmundjeje që e rrethonte dhe që po mësonte t’i njihte pikërisht nga shenjat: një nervozizëm i ri, shpërthime të papritura nervore, luhatje të vazhdueshme të humorit, ndoshta edhe fillimet e depresionit dhe rraskapitjes së një lodhje të paimagjinueshme kur bënte patinazh në Krakov, ecte në pyll në Zvicër, biçikletë të dielave në Francë, vozitje në kthesat e gjera të Vollgës, ku lumi i madh ngadalësohej me qetësi.

Ai zbuloi papritur një dobësi të panjohur psikologjike: nuk fliste me askënd për shëndetin e tij, sikur migrena mund të përkthehej në politikë, duke kërcënuar të dobësonte lidershipin e tij. Ky ishte lajmi, ai kishte një armik shtesë, brenda vetes.
Duke strehuar të keqen që fshihte, ai kuptoi se ishte xheloz për pushtetin dhe aq më tepër për rolin e padiskutueshëm që i kishte atribuar revolucioni, të cilin Garda e Kuqe e mbronte, por që trupi i tij e ndjente se nuk mund t’i përballonte ato ritme presioni, atë lodhje.
Ai kishte frikë se mos humbiste kontrollin e sapofituar të sovjetikëve, të partisë, të Kominternit, të qeverisë, të Rusisë, një piramidë që konvergonte në figurën e tij.
Trupi: Nadezda kujtonte vitalitetin e viteve të hershme, kur Iliç shëtiste në fshat derisa gjente një grumbull kashte ku mund të shtrihej dhe të lexonte. Ose kur zgjohej në errësirë, dhe e shihte tashmë gati me pantallonat e tij lëkure dhe qenin Genca që shkundej për të shkuar për gjueti në ishujt siberianë për lepujt e bardhë, ose në agim me çizmet e tij duke parë peshqit nën akullin e pastër të lumit të ngrirë.
Ose Leninin e ri dhe plot energji në mars 1900, kur mbaroi internimin në fshatin Susenkoe, dhe ata udhëtonin me sajë ditën dhe natën nën hënë. Madje në një moment ai hoqi edhe doçën, mantelin e tij prej leshi, sepse nga ngazëllimi i lirisë i dukej se nuk e ndjente më të ftohtin, teksa nisi me shpejtësi kuajt drejt shekullit të ri.
Si një ekzorcizëm bolshevik, Marija, motra, kujtonte vazhdimisht se Vladimir Ilyiç në rininë e tij ishte një burrë i fortë, rrallëherë sëmurej, me përjashtim të atyre dy viteve -1892 dhe 1893 – në të cilat fillimisht iu desh të përballej me ethet tifoide dhe më pas me malarien.
Për pjesën tjetër, një jetë e shëndetshme, e favorizuar nga bujaria e zakoneve (drekë dhe darkë gjithmonë në orar të caktuar) dhe nga një vakt i gatuar në shtëpi, ku nuk mungonte mishi, ndoshta i skuqur.
Kur ai u bë subversiv në Shën Petersburg, të gjitha rregullat dhe madje edhe manitë u zhdukën, dhe ai filloi një ekzistencë të parregullt, duke përfshirë ushqimin. Menjëherë mbërriti gastriti, i cili do ta shoqëronte deri në fund.
Largësia nga Rusia, ndjenja e detyrimit për të jetuar në errësirë “në një pellg moçali”, konferencat në mërgim, diskutimet, grindjet, përçarjet dhe pafuqia: gjithçka I preku nervat, moralin, dhimbjen e stomakut, që rezultoi me pagjumësi, humbje peshe, migrenë, aq sa nëna e tij Marija Aleksandrovna u alarmua në takimin e tyre të fundit në Suedi, duke u përqafuar me atë burrë të rraskapitur, i cili ishte plakur në rininë e tij.
Lenini po mësonte të dëgjonte trupin e tij, ose më mirë ta kontrollonte atë, pothuajse duke e spiunuar. Pikërisht ai që e konsideroi një mjet të thjeshtë revolucionar, një mekanizëm për t’u mbajtur në funksion pikërisht për këtë qëllim, siç kishte bërë çdo ditë me gjimnastikën kur përfundoi në burg.
Ky dorëzim i plotë i trupit ndaj kauzës madje arriti në prag të asaj që mund të ishte shpronësim, thuajse bolshevikëve u duhej të jepnin llogari për ruajtjen e fizikut të tyre partisë, mjeshtrit suprem dhe jo vetëm për fatet kolektive, por edhe të makinerisë trupore personale, si një e mirë materiale e dhënë vetëm për përdorim nga individi, sepse misioni i vërtetë është metafizik.
Prandaj sëmundja u shndërrua në ideologji dhe paaftësia u vlerësua si neglizhencë, shërimi pothuajse si një faj sepse i hiqte energji veprimeve politike. Nëse një shok ankohej për një sëmundje, Lenini përgjigjej midis ironisë dhe qortimit: “Ji mirënjohës që nuk do të përfundoni në gjyq se keni lënë pas dore një pasuri të shtetit, domethënë veten tuaj”. Por Vladimir Ilyich gjithashtu përdori të njëjtin ton në familjen e tij.
Kur në vitin 1919 mësoi nga Molotovi se Nadezda kishte pasur një atak në zemër, ai i dërgoi asaj një lloj paralajmërimi zyrtar politik, si lider partie dhe jo si bashkëshort: «Ke punuar shumë. Ju duhet t’i përmbaheni rreptësisht rregullave dhe të respektoni absolutisht urdhrat, përndryshe nuk do të mund të punoni dimrin e ardhshëm. Mos e harro”.
Dhe partia vendosi edhe masat mjekësore, pushimin për mjekim, periudhën e pushimit, kohën e rehabilitimit, “licencën” e rikuperimit të forcës. As anëtarët e Komitetit Qendror, madje as drejtuesit e Byrosë Politike nuk mund të vendosnin në mënyrë të pavarur të mungonin nga puna revolucionare.
Në pranverën e vitit 1920, nën presionin e mjekëve, Trotsky mori një leje dymujore nga sekretariati i Komitetit Qendror, për të rifituar energjinë e shpenzuar nga vitet e kaluara duke vrapuar më shumë se 100 mijë kilometra midis frontit të luftës dhe prapavijave , në trenin e tij si president i Këshillit të Luftës Revolucionare për vizita në ushtri, përndjekjen për të kthyer dezertorët në gjirin e revolucionit, në diktimin e manifesteve tipografisë në bord që shtypte një gazetë dhe udhëtonte me të, së bashku me radiostacionin celular, një dhomë lojrash, një kasolle për ambulancën dhe një bibliotekë udhëtuese.
Lenini gjithashtu i shkroi Orgburo-s, selisë organizative të partisë, më 8 korrik 1921, i nxitur nga mjekët, duke kërkuar mundësinë për një muaj leje për të pushuar në daçën e Gorkit.
Në rrugën e revolucionit shpërtheu “baliesn”, sëmundja, siç do të quhet për dy vjet e gjysmë fillimisht në pëshpëritje e më pas në llogaritë e udhëheqjes bolshevike, e cila tanimë ishte e hipnotizuar nga lajmet.
Lenini është i sëmurë, deri në atë pikë sa duhet të ndalojë. Largohet nga Kremlini dhe kalon në duart e mjekëve. Është diku tjetër. Ai ka nevojë për trajtim. Prandaj ai nuk është më i paprekshëm. Po pastaj?
Një hije kaloi mbi vitin e katërt të marrjes së pushtetit nga bolshevikët. Vladimir Iliç e kishte imagjinuar dhe ishte përpjekur ta dëbonte të keqen duke e fshehur. Por ai vetëm e kishte lëvizur në kohë, duke e fshehur pas imazhit të tij të skalitur, modeluar, fotografuar, pikturuar kudo si simboli i pushtetit të ri sovjetik, duke zhvendosur portretet e Carit të mërguar në ikonat e mbijetuara: Lenini me kapelën e tij të mbështetur në një tribunë, pak i shtrirë përpara një skene, rrethuar me flamuj të kuq, me krahun e djathtë të ngritur lart dhe me gishtin tregues të drejtuar njerëzve, me një berretë dhe me dorën e majtë që mbërthente skajin e xhaketës,me vështrimi i tij mbi Pravda-n.
Por tani, pas fizikut, sëmundja sulmoi punën: Vladimir Iliç nuk ishte më në gjendje të përqendrohej, të ripërtërihej nga lodhja që dukej e përhershme. Atij i duhej të dorëzohej nëse donte të vazhdonte të luftonte.
E dinte që thashethemet ishin të pashmangshme, nuk mund t’i ndalte, e vetmja mbrojtje ishte një menaxhim shumë i rezervuar i sëmundjes së tij: e cila, për më tepër, nuk kishte një emër zyrtar dhe për këtë arsye mbeti e pashqiptueshme si herezia, e rrethuar nga misteri i pushtetit.
Natyrisht, Iliçit iu kujtuan të gjitha mundimet dhe telashet e hasura në rrugën drejt revolucionit fitimtar, rezistenca e kozakëve, zia e bukës, beteja me të bardhët, kontraditat e gjalla të NEP-it, milionat e të papunëve, çmimet e frutave dhe perimeve që u rritën me gati 60 për qind në krahasim me vitin 1913, konfliktet e para brenda Byrosë Politike: ky ishte katalogu i mundimeve.
Por jo vetëm kaq. Ai sulm social-revolucionar, me plumbin e helmuar që depërtoi në trup deri në qafë si lajmëtar i së keqes dhe Nadezda e dëshpëruar kur e zhveshën plot gjak.
Dhe akoma më thellë, plaga tjetër e shkaktuar nga vdekja e Inessa Armand-it, revolucionares franceze me sy të gjelbër që kishte jetuar pranë Leninit dhe gruas së tij në Bernë, në Krakov, në Paris, kishte shëtitur me ta të dielave në pyll, kishin udhëtuar në të njëjtën ndarje me “trenin e blinduar” që i ktheu në Rusi në shpërthimin e revolucionit, dhe më pas ndoqi qeverinë në Moskë: duke marrë një shtëpi në rrugën Neglinaya, afër Kremlinit dhe për rrjedhojë Ilyiç-it, me instalimin e menjëhershëm të një prej telefonave të parë automatikë në kryeqytet, pa pasur nevojë të kalonte nga centrali për çdo telefonatë, veçanërisht për atë që e kishte më shumë për zemër.
E vetmja grua ndër revolucionarët, së cilës Lenini iu drejtua me “ti”, duke e rezervuar “ju-në” për të gjithë të tjerat. Ndoshta e vetmja grua që ai donte, ndërsa Nadezda ishte shoqia – në çdo kuptim – e jetës së tij.
Një marrëdhënie politike, intelektuale dhe sentimentale që përfundoi vetëm me udhëtimin e Inessës në Kaukaz në vitin 1920, pas sulmit të kolerës, vdekjes së vetmuar dhe funerali i kremtuara në Moskë me dy kuaj të zinj që mbanin arkivolin, ndërsa Angelica Balabanoff shikonte nga dy hapa larg Leninin në një dëshpërim të heshtur. «Nuk kam parë kurrë një torturë të tillë dhe kurrë nuk kam parë një qenie kaq plotësisht të zhytur nga dhimbja, nga përpjekja për ta mbajtur atë për vete, për ta hequr nga vëmendja e të tjerëve që mund të zvogëlonin intensitetin e saj. Jo vetëm fytyra e tij, por e gjithë figura e tij shprehte një ankth të tillë, sa nuk guxoja ta përshëndesja as me një tundje të thjeshtë koke. Ishte e qartë se ai donte të ishte vetëm me pikëllimin e tij. Ai dukej më i vogël, berreta ia mbulonte fytyrën, sytë i dukeshin të mbytur në lotë të mbajtur me zor”.
Të nesërmen, hiri i Inessa Armand-it e gjeti vendin në Sheshin e Kuq, pranë mureve të Kremlinit. Përpara zambakët e bardhë “për shoqen Inessa” dhe firma e Vladimir Ilyiç Lenin.
Sëmundja dhe braktisja e Inessës, ia dorëzoi Leninin plotësisht kujdesit të Nadezhda Krupskaja-s. Ajo foli me mjekët, i thirri, ndoqi me kujdes recetat e ilaçeve dhe mbi të gjitha vëzhgoi pushimin e Iliçit, orët që kalonte në ajër të hapur, në Gorki, ku ai mund të shkruante dhe ajo studionte italisht.
Me ta Marija Ilinichna Uljanova, motra e vogël e Leninit, e cila kishte një lidhje shumë të fortë me të dhe e ndihmoi deri në fund.
Pasi kishte rënë velloja e të shtirurit, në ato ditë vere në Gorki, Lenini deklaroi hapur paaftësinë e tij. “Jam i sëmurë, po iki”. “Unë nuk lëviz dot dhe ndjehem budalla”. “Jam i lodhur, nuk pres dot askënd”. “Jam aq i rraskapitur sa nuk mund të bëj asgjë për të shpëtuar jetën time”.
Ishin shenjat e humorit të keq të lënë nga sëmundja, me gjurmë pesimizmi, brazda depresioni. Të vetmen herë që kishte menduar vërtetë për vdekjen, gjatë ditëve të kryengritjes në Shën Petërburg, ai ishte shqetësuar para së gjithash për ruajtjen e shënimeve të tij, sikur vepra do t’i mbijetonte atij gjithsesi, duke i shkruar Kamenevit: «Rreptësisht mes nesh, nëse ata do të më vrasin të lutem boto fletoren time Marksizmi dhe Shteti. Ajo ndodhet në Stokholm. Me kopertinë blu”.
Tani ai është i përçarë mes detyrimit për të pushuar dhe udhëheqjes së partisë, ankthit për sëmundjen dhe qeverisjes së vendit: të gjitha nga larg, përmes telefonit dhe letrave.
Vetëm se e keqja është gjithnjë më afër tij, pothuaj e mbizotëron. Në fund të vitit I dukej se I vinte rrotull punës, pa arritur asgjë, dhe më 7 dhjetor Komiteti Qendror e shkarkoi përsëri, por këtë herë me urdhër që të mos merrte letra, dokumente apo raporte politike nga Gorki.
Shënimi që u shkruan anëtarëve të Bjuros është i dëshpëruar, gati i humbur, gjithsesi i pafuqishëm: «Sot po iki. Me gjithë zvogëlimin e punës dhe rritjen e pushimit, kam frikë se nuk do të mund të dal as në Konferencën e Partisë dhe as në Kongresin e Sovjetikëve. Pagjumësia është shtuar në mënyrë djallëzore ditët e fundit”.
Përkeqësohet, pavarësisht shëtitjeve në pyll, ditëve shëtitje jashtë dhe ushqimit të kontrolluar. Më 2 shkurt Byroja Politike e zgjati pushimin e tij në fshat deri në kongresin e 11-të të partisë në fund të marsit. Ai fillon të përjetojë tragjedinë e ndarjes midis trupit rebel dhe trurit, i cili ndjek hap pas hapi agjendën e qeverisë, drejton politikën e jashtme, sugjeron artikuj, ese, polemika, dekrete, letra: Lenini është si i ndarë përgjysmë dhe mjekët nuk e kënaqin, nuk gjejnë ilaçe sepse e keqja është dinake, e fshehur. Të paktën zyrtarisht.
Bëhen hipoteza sekrete, një ekip studiuesish dërgohet në Astrakhan për të hetuar historinë mjekësore të babait të Iliçit i cili vdiq në të njëjtën moshë të tij, ata kthehen te gjyshërit e tij duke kërkuar gjurmë të një bakteri, një defekti të lindur, një dobësi trashëgimore në paraardhësit e tyre.
Sëmundja tashmë është bërë mungesë, zbrazëtia është një rast politik, politika zbulon dyshimet e revolucionit për të ardhmen e tij dhe gjithçka i dorëzohet sekretit shtetëror që konfiskon diagnozat, analizat dhe terapitë në tabernakullin e Bjuros.
Ndërkohë ai mblodhi forcat për t’u paraqitur në kongresin e partisë: më 27 mars arriti të ngjitej në galeri për ta hapur, më 2 prill u kthye për ta mbyllur. 687 delegatët e panë Iliçin për herë të fundit në një takim solemn në Kongres, me qostekun e mbështjellë rreth gishtit, për t’i kujtuar sëmundjen e tij, ndërsa garantonte se “lëvizja komuniste në mbarë botën po rritet vazhdimisht, në gjerësi dhe në thellësi”.
Por bolshevikët që erdhën nga i gjithë vendi nuk mund ta dinin se kishte një prapaskenë shëndetësore të kongresit, me dy klinicistë të shquar gjermanë – Profesor Felix Klemperer, një mjek internist nga Berlini dhe profesor në Strasburg, specialist i tuberkulozit pulmonar, dhe doktor Otfrid Foerster, neurolog në ëroclaë – të cilët fluturuan në Moskë në ato orë për një konsultë përfundimtare mbi sëmundjen e Leninit.
Ata u pritën drejtpërdrejt nga Komisari Popullor për Shëndetin Publik, Nikolaij Semashko, i cili ka dy ndihmësit e tij, Dr. Rozanov dhe Dr. Marecka, që i shoqëruan në banesën e Leninit për vizitën e plotë, kontrollin e analizave, marrjen në pyetje gjatë të kreut të Kremlinit. Qëllimi ishte njohja dhe kuptimi, por edhe qetësimi.
Dhe në fakt, sapo u kthye në Gjermani, Klemperer bëri një diagnozë dashamirëse për Neë York Times: «Lenini mund të mbështetet në një strukturë fizike të shëndetshme dhe energji të fortë, e cila kohët e fundit është zvogëluar. Kur e kontrolluam, zbuluam se kishte neurasteni të lehtë për shkak të punës së tepërt. Nuk ka shenja të sëmundjeve më të rënda, aq sa nuk ishte e nevojshme asnjë recetë mjekësore, përveç këshillës për të marrë pushime dhe për t’u kujdesur për veten”.
Çdo fjalë e konfirmimit të së keqes balancohet nga një mbiemër performues, fizik, i sigurt dhe ngushëllues.
Në pasigurinë e shkaqeve, në papërcaktueshmërinë e diagnozës, nga trupi i Iliçit nxirret plumbi i sulmit të vjetër me kërcënimin e tij -kurarin helmues. Por situata nuk përmirësohet, përkundrazi: më 26 maj 1922 Lenini lëkundet sapo ngrihet nga shtrati dhe i duhet të kapet në gardërobë për të mos u rrëzuar, ai tërhiqet dhe ndjen dhimbje të forta stomaku. Mbi të gjitha, ai flet me vështirësi, i turbullt dhe nuk mund të lëvizë këmbën dhe krahun e djathtë.
Motra Marija jep alarmin, Komisioneri Semasko, Doktor Rozanov dhe vëllai i Iliçit, Dmitrij, vijnë me vrap. Kjo është goditja e parë e shkaktuar nga ateroskleroza cerebrale. “Në realitet”, do të thotë Lenini më vonë, kur të arrijë të vijë në vete “ky është një sinjal alarmi, paralajmërimi i parë i vdekjes”.

Stalini shkon për ta vizituar dhe ai ankohet sepse nuk e lejojnë të lexojë gazetat nga frika se mos e shqetësojnë lajmet politike, por në fillim të gushtit kur kthehet në Gorki, Stalini e gjen “të rrethuar nga një mal me libra dhe gazeta. Është Lenini ynë i vjetër që të vështron me shikimin e tij të zakonshëm mendjemprehtë, me një sy gjysmë të mbyllur”.
Ai ka nxitim për t’u rikthyer, dakordësohet për programin. «Do të kthehem më 2 tetor. Takimin me datë 3 nga ora pesë deri në nëntë, me një çerek orë pushim për çaj. Paralajmëroni të gjithë: pirja e duhanit është e ndaluar”.
Sikur të kishte dalë sërish nga errësira, më 13 nëntor Lenini vendosi të dilte në platformën e Kongresit të Katërt të Internacionales së Tretë, ku foli gjermanisht.
Në dhomën e fronit, me Kreun e Kremlinit të kthyer në vendin e tij nën sytë e komunizmit botëror, duket se ikonografia bolshevike arrin t’i imponohet sëmundjes, duke e kapërcyer atë.
Por ata që e njohin mirë mund të matin peshën e përpjekjes së Vladimir Iliçit për t’u dukur si Lenini me çdo kusht, me atë fjalim që ka të njëjtin qëndrim retorik si gjithmonë, por më pak shpirt dhe më shumë ankth, sikur Iliç të ndiqte kokëfortësisht veten e tij të humbur, pa mundur ta arrinte atë.
“Ata që e panë për herë të parë përsëritën ‘është gjithmonë ai, Lenin-i’. Por ne nuk na lejohej ky iluzion”, rrëfen Alfred Rosmer, anëtar i Byrosë Ndërkombëtare. “Ai nuk ishte më Lenini që ishte dikur, por një njeri i prekur rëndë nga paraliza. Pamja e tij ishte e ngrirë, ecja e tij ishte ajo e një automatiku, elokuenca e tij e zakonshme e thjeshtë ishte shndërruar në një fjalim hezitues dhe ndonjëherë fjalët I mungonin”.
Një orë e tërë duke qëndruar në galeri, me zërin e tij më të mprehtë se zakonisht, dhe në 15 minutat e fundit, ndërsa në skenë bënte një bilanc të ndeshjes që kishte vazhduar për pesë vjet mes revolucionit dhe Rusisë, Iliç kontrollonte vazhdimisht orën e tij, që po shënonte kohën e lojës tjetër të tij, asaj vdekjeprurëse me të keqen.
Ai kaloi dy ditë në Gorki në mesin e dhjetorit 1922 duke shkruar fjalimin për Kongresin X panrus të Sovjetikëve, ku donte të ilustronte Kushtetutën e BRSS-së së re, Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, që sapo kishte lindur.
Më 12 u kthye në Moskë në zyrë, ku takimet e prisnin deri në mbrëmje. Nuk mund ta dinte, por ishte dita e tij e fundit e punës, nata e fundit në Kremlin. Të nesërmen në mëngjes e keqja doli nga paqartësia e vetëmashtrimit me dy tromboza cerebrale që ngritën alarmin e dytë. Dy ditë, dhe shtohet paraliza e një krahu dhe një këmbe, këtë herë në të majtë.
Tani pushimi duhet të jetë absolut, mjekët shkëputin të gjitha telat që lidhin Leninin me politikën, çaktivizojnë të gjitha instrumentet e qeverisjes rreth tij, e izolojnë me veten.
Për Vladimir Iliçin është si të jetosh i pezulluar në boshllëk: mendja e tij arsyeton, shtjellon, reagon, propozon; por pa gazeta, libra, takime e letra ai nuk mund të ushqejë idetë, nuk mund të shkëmbejë ato, nuk ka si të ndërhyjë. Në atë boshllëk realiteti tërhiqet, ikën, ai mund të mendojë për të, por nuk është në gjendje ta banojë atë.
Provon ta ndjekë. Tani mund të diktojë, për disa minuta çdo herë, por nervozohet, nuk është mësuar, dëshiron të shkruajë, të shohë fjalët e tij të marrin formë, t’i rilexojë, t’i fshijë, t’i korrigjojë. Nuk e duron dot prezencën e heshtur të stenografit në karrige që e vështron teksa përpiqet të plotësojë një fjali në mendjen e tij, preferon distancën dhe zgjedh të diktojë në telefon.
Drama private është ribashkuar me dramën publike, ankthi personal është bërë element politik. Për këtë arsye është e nevojshme të ndërtohet një narrativë zyrtare e vakumit të pushtetit, duhet shpikur një teori të krizës, një doktrinë që përfshin, justifikon dhe ekzorcizon sëmundjen, duke qenë se nuk është më e mundur ta fshehësh atë.
Fillohet të ideologjizohet figura e Leninit, duke e shkëputur dalëngadalë nga ngjarjet e përditshme. Kështu, paneli i kontrollit është I komanduar, ndërsa Iliç – i monumentalizuar në jetë – në fakt e kupton se ai është gjithnjë e më i vetëm përballë së keqes.
Më i irrituar çdo ditë, ai mat distancën midis gjithçkaje që do të donte të bënte dhe asaj pak që trupi i lejon të përjetojë. Në atë hapësirë të pafuqishme, ai është i burgosur i mendimeve të tij, të cilat në mënyrë të pashmangshme fillojnë të dyshojnë te mjekët dhe mjekimet, prandaj shtyjnë veten të prekë ndjenjën për fundin dhe çdo herë gjenerojnë tek ai një ankth të veçantë, pjellë e ndjenjës së fajit për punën e madhe të papërfunduar.
Dorëzimi ndaj pesimizmit, rrëshqitja drejt hiçit si rezultat logjik, tani është një tundim i përditshëm, por është gjithashtu një rrugë e shkurtër, pothuajse një arratisje.
I duhet të gjejë ndonjë pikëmbështetje ku të mbështetet për t’u rishfaqur. Pastaj një mëngjes dera e dhomës ku pushon Vladimir Ilyiç hapet pa paralajmërim, sepse komandanti Pakaln, kreu i rojeve të tij të sigurisë, i solli Aidu-n, qenin që Nadezda kishte sjellë nga Gorki.
Ndjen hundën e lagur që kërkonte të mbështetej në batanije duke e kërkuar. Pak nga pak dora e paralizuar përpiqet me një përpjekje dëshpëruese të lëvizë, duke ndjekur mekanizmin e humbur që përbën gjestin e thjeshtë dhe madhështor të një përkëdheljeje.
- vazhdon