Sport

Leipzig është afër transferimit të sulmuesit të shumëkërkuar në Evropë


Lois Openda është sulmuesi belg që po përfolët shumë në këtë afat kalimtar veror.

Shumë klube të mëdha evropiane ishin vënë pas futbollistit që shkëlqeu në edicionin e kaluar në ligën franceze me skuadrën e Lens, por duket se skuadra e Leipzig-ut tashmë i ka siguruar shërbimet e tij.

Sipas asaj që shkruan gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, Leipzig është afër mbylljes së marrëveshjes me klubin francez për shërbimet e sulmuesit 23-vjeçar.

Romano shkruan se gjermanët kanë bërë ofertë prej 40 milionë eurosh për blerjen e kartonit dhe Openda në ditët në vazhdim do t’i kryejë testet mjekësore me klubin e tij të ardhshëm.

Openda në edicionin e kaluar shënoi 21 gola dhe dhuroi katër asistime në 38 ndeshje në Ligue 1 (nuk mungoi në asnjë ndeshje).

Ndërkohë, ai numëron edhe nëntë ndeshje zyrtare me kombëtaren e Belgjikës, prej të cilave shënoi dy gola.

Openda është pjesë e Lens që nga vera e vitit të kaluar, kur u transferua nga skuadra e Club Brugge për shumën e 12 milionë eurove.

Vlen të theksohet se Lens pati një sezon të mrekullueshëm në Francë, duke dalë në vendin e dytë pas kampionëve, PSG-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore