Lajme

“Legalizim të strukturave paralele” e quan PSD-ja marrëveshjen për letërnjoftimet


Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj.

Para objektit të Qeverisë, Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion kështu duke kundërshtuar marrëveshjen e fundit për letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Strukturat paralele u legalizuan, rroftë Qeveria”, ishte njëra ndër pankartat e PSD-së.

Përmes këtij aksioni PSD-ja kritikoi Qeverinë se Serbia po iu lëshon serbëve të Kosovës dokumente identifikimi, me mbishkrimin “Departamenti i Policisë për: Mitrovicë e Kosovës, Prishtinë, Pejë”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, deklaroi se marrëveshja e fundit me Serbinë për letërnjoftime është e dëmshme për Kosovën.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka pësuar goxha disa ndryshime e zhvillime por në pjesën dërrmuese janl negative”.

Aksioni i PSD-së.

‘Është hera e parë që kemi dakordim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra janë marrë vesh e nuk kanë treguar për çka janë marrë vesh por e kanë bërë një marrëveshje që në fakt është e dëmshme sepse marrëveshja e re i ka legalizuar e i ka pranuar dokumentet e strukturave paralele të Serbisë”, u shpreh Molliqaj para mediave.

Ndryshe të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili bëri të ditur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve hyrëse-dalëse, thotë se është lumturuar që është gjetur një një zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell përmes një video në Twitter falënderoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për udhëheqjen në dialog.

Çfarë marrëveshje u arrit?

Në fakt, nuk është arritur një marrëveshje e re, thjesht ka zotim se tash e tutje do të respektohet marrëveshja e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëvizin nga njëri shtet në tjetrin vetëm më karta identiteti.

Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje. Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.

Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën. Marrëveshja tash është që Serbia do të heq dorë nga ajo letër dhe Kosova s’do të ketë nevojë ta impelemntojë fare.

Po me targat?

Me targat nuk është arritur ndonjë marrëveshje akoma. Atyre do të vazhdohet t’u vendosen ngjitës në vendet ku janë emblemat e shtetit dhe shkronjat dalluese të republikave.

Përse në Kosovë po festohet nga qeveria si fitore? Sepse po nënkuptohet si detyrim i Serbisë për të hequr dorë nga ajo letra e bardhë që e kishte implementuar një anshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore