Sport

Leeds i kërkon “zyrtarisht” Barcelona-s të paguajë për Raphinha-n


Raphinha ishte një nga afrimet e mëdha të Barcelona-s këtë merkato verore. Por, situata duket se nuk është kaq e lehtë sa duket.

Anësori brazilian është prezantuar te katalanasit, madje dhe ka luajtur në miqësoret parasezonale. Por, duket se Barcelona ka harruar diçka të rëndësishme.

Sipas “The Athletic”, presidenti i Leeds United, Andrea Radrizzani, klubi nga ku u transferua Raphinha, ka pohuar se skuadra nga La Liga ende nuk ka paguar për kartonin e brazilianit.

Radrizzani tha për “The Athletic” se ai kishte rënë dakord me Chelsea-n për të gjitha kushtet, por dëshira e lojtarit dhe e agjentit të tij, Deco, ka bërë që marrëveshja të mos shkonte deri në fund.

“Ne bëmë marrëveshje me Chelsean sepse lojtari donte të largohej dhe ishte i hapur për oferta nga klubet e Premier League. Por për fat të keq, le të themi se ndikimet nga Barcelona e bindën lojtarin të priste, të priste, të priste… derisa të gjenin një zgjidhje”, tha presidenti i Leeds.

“Kjo tregon sërish fuqinë dhe ndikimin që kanë lojtarët dhe agjentët e tyre në sistem, gjë që edhe për mua është e ekzagjeruar”, vijoi ai.

Krahas kësaj, Radriazzani e beri të qartë se, duke pasur parasysh situatën ekonomike të Barçës, anglezët mbajtën një klauzolë që do të ndëshkonte mungesën e pagesave nga skuadra katalanase.

Leeds beson se Barcelona do të bëjë pagesat e mbetura para datës 2 shtator, e cila do të jetë data kyçe në këtë çështje.

“Nëse nuk paguajnë paratë, do të kemi një problem global që do të shfaqet në të gjitha mediat e botës”, tha pronari i skuadrës nga Premier League.

Raphinha u transferua te Barcelona për 48 milionë euro, plus 12 milionë të tjera në formën e bonuseve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore