Sport

LeBron James rinovon kontratën me Lakers dhe bëhet basketbollisti më i paguar në historinë e NBA


LeBron James e ka rinovuar kontratën me klubin e tij Los Angeles Lakers edhe për dy vitet e ardhshme, derisa ka opsion për zgjatjen e saj edhe për një vit tjetër.

Me kontratën e re, ylli amerikan do të përfitojë edhe 97.1 milionë dollarë, që e bënë basketbollistin më të paguar në historinë e ligës amerikane të basketbollit, NBA.

James ishte në skadencë kontrate me një vit të fundit që i siguronte një pagë prej 44 milionë dollarësh me fanellën e Lakers-ave.

James në këtë mënyrë mund të kalojë kufirin e 40 vjetëve si një lojtar i NBA, pasi mbush 38 vjeç dhjetorin që vjen.

Me këtë kontratë, James arrin në kuotën e 532 milionë dollarëve të fituar vetëm nga paga gjatë karrierës, një rekord ky i të gjitha kohërave.

Lebron ka në Los Angeles jo vetëm qytetin e skuadrës në të cilën luan, por edhe qendrën e bizneseve të tij. Për këtë arsye, lidhja deri në fund të karrierës me Lakers ishte një lëvizje e pritshme.

Nuk ishte e qartë se për sa kohë akoma donte të luante James. Tani është e sigurt, për dy vitet e ardhshme, e ndoshta edhe tre.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore