Libra

Lea Ypi, një figurë magjepsëse filozofike


Foto: Lea Ypi duke ligjëruar në London School of Economics, 3 Nëntor, 2014 @ 5:30 PM

Lea Ypi, në një intervistë në emisionin ‘Ilva Now’ në Euronews Albania, ku diskutoi për librin e saj më të ri “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”, të bën të paramendosh se ajo intelektualisht është kantiane dhe ndjeshmërisht rusoiane.

Logjika dhe pasionet e kulluara Lea-s, si kur flet për personin e saj, si kur tregon për përmbajtjen e librit, të çojnë mallin e një sintetizimi aprioristik të këtij dualiteti filozofik, mes mendimit dhe ndjenjës, mes “Kritikës së Arsyes së Kulluar” të Kantit dhe “Heloizës së Re” të Rusoit.

Në një video që në këtë intervistë shfaqet Lea 10 vjeçare në “Rai 1” duke folur një italishte të artikuluar shkëlqyeshëm, ku në çiltërsinë fëmijërore tregon se dëshiron të bëhet shkrimtare, por pse jo edhe presidente, thotë ajo me sharmin e pafajësisë fëmijërore, të kujton Emile-n e Rusoit, vizionin e tij të edukimit të një fëmije në pastërtinë morale natyrore, të pakontaminuar nga banalitet e realitet shoqëror, ose amour-propres.

Ndjehesh mirë, kur në botën mediatike të stërmbushur me banalitete sintetike, ku paturpësia reflektohet paturpësisht, me analistë e vizionarë politikë, me modele plastike të showbizzit, me kleri mediale që rrëfejnë moral të relikët dhe barbar të mesjetës, në emisione ku mediokriteti përbën gjenialitetit dhe kuantifikohet monetarisht, del një Lea Ypi, dhe të rikthen, me atë nostalgjinë kunderiane, një pasqyrë morale dhe vlerore, të rrallë në sferat e shoqërisë tonë.

Duket e pabesueshme që në rrafshin medial ende frymojnë personalitete kaq të formuara intelektualisht dhe moralisht, por në këtë intervistë, është e qartë se këso figurash ekzistojnë, vetëm se duhet t’i shohim, e t’i dimë, dhe patjetër që duhet t’i ndjekim; nëse nuk duam të fundosemi në modelë vulgarë të plasticitetit popkulturor.

Lea Ypi është profesoreshë e Filozofisë Politike në London School of Economics dhe profesoreshë e asocuar e Filozofisë në Shkollën e Kërkimit të Shkencave Sociale në Universitetin Kombëtar të Australisë.

Ajo është autore e disa vepreve, shkrimeve, analizave, prej të cilave më të njohura janë “Arkitektonika e Arsye së Pastër: Qëllimësia dhe Uniteti Sistematik në Kritikën e Arsyes së Kulluar të Kantit”, “Drejtësia Globale dhe Veprimi Politik Avant-Gard”, dhe bashkëautore me Jonathan White në veprën “Kuptimi i Partizanitetit”, dhe së fundmi “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”.

Titulli indikativ i veprës, por edhe komentimi i saj në intervistën në fjalë, tregon se rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël dhe tranzicionin politik të një shoqërie dhe shtetit që kalon prej një fortifikate komuniste në një vend të hapur liberal. Prej një izolimi hermetik në një shoqëri të hapur dhe në lirinë esenciale njerëzore.

Filozofja franceze Simone Weil shkruan se “Ushqimi më esencial i shpirtit njerëzor është liria. Dhe liria, marrë në kuptimin më konkret, konsiston në aftësinë për të zgjedhur”. Pikërisht aftësia për të zgjedhur është lajtmotiv i veprës së Lea-s, gjë kjo e cila, siç e dinë më së miri njerëzit që kanë përjetuar regjimin komunist të Shqipërisë, ka qenë jo vetëm e pamundur, por edhe futej në rrafshin e të pamenduarës.

Lea në intervistë e përfol depozitin moral të ngarkuar nga tutela ideologjike kohës, formësimin dhe farkëtimin ideologjik që u bëhej të rinjve, dhe ngazëllimin fëmijëror për të kuptuar botën, skizmin mes realitetit të mësuar për ta parë me dhe prej lenteve të pushtetit, dhe realitetit faktual të njerëzve që presin radhë për bukë. Krejt kjo, e shënon bagazhin dhe dramën fëmijërore të Leas, dramë kjo që siç mendonte edhe Frojdi, rrënjohet në psikikën e njeriut dhe bëhet dialog mbarëjetësor me veten.

Pasuria e veprës së Leas futet në interpretativitet të madh. Prindërit, gjyshja, shkolla, regjimi, shoqëria, politika, frika, shpresa, tranzicioni, konglomeracioni i saj që ajo arrinë t’a paketojë, në mënyrë kantiane, në një produkt të sintetizuar mes çiltërsisë së saj njerëzore, dhe të dhënave të ashpra të realitetit, që në gjuhën kantiane do të quhej, transcendentalitet.

Por, edhe nuk mundem të mos e shoh kopertinën e librit, edhe pse e dizajnuar nga botuesit e librit, kopertinë të cilën ajo e tregon që ka për qëllim të tregojë zënkën për kanaçen e zbrazët të coca-colas me një lule në të, si një analogji kantiane, mes Arsyes së Kulluar (kanaçja) dhe Lules (bota fenomenale). Sikurse imperativi kategorik që është i rrënjosur në mendjen e kulluar praktike të Kantit, ashtu edhe rrënjët e lules që qelin në kanaçen e zbrazët të coca-colas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore