Lajme

“LDK s’do të sillet sikur VV në opozitë, roli ynë dallon si nata me ditën”


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK si subjekt politik dallon “si nata me ditë” nga partitë e tjera dhe se nuk do të përdorë “armët” e Lëvizjes Vetëvendosje “që të sillet” si kjo e fundit sa ishte në opozitë.

Haziri përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se në opozitë LDK-ja po ndërtohet si parti lidere brenda Kuvendit të Kosovës.

“LDK nuk ka nevojë të sillet si VV- ja në opozitë. Nuk na duhet as vokacioni e as ‘armët’ e tyre. LDK-së nuk i duhet as sjellja e vokacioni i PDK-së e AAK-së. Në opozitë jemi duke u ndërtuar si parti lidere brenda Kuvendit të Republikës, e cila nuk është as me atë palë e as me këtë palë”, ka shkruar Haziri.

Ndryshe, LDK tashmë ka zyrtarizuar edhe kandidatët për kryetarë komunash, ku nga kjo parti janë deklaruar se në zgjedhjet e 17 tetorit “do të bëjnë rikthimin e madh”.

Ndërkohë, kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, gjatë të mërkurës së 28 korrikut pati diskutime përmbajtjesore me kandidatët për kryetarë Komunash dhe kryetarët e Degëve të LDK-së.

“Vullneti dhe vizioni për fitore dhe rikthimin e madh të LDK-së është pika që na bashkon, e na bën që t’i dëgjojmë të gjitha problemet ditore që kanë qytetarët tonë”, ka thënë Abidixhiku.

Sipas tij, LDK e ka potencialin intelektual dhe programor që t’i jap zgjidhje çdo sfide, çdo qyteti apo fshati ku jetojnë qytetarët e Kosovës.

“Padyshim që fitoren dhe rikthimin e madh të LDK-së e bën secili nga ne, me angazhimin tonë të përditshëm e të pandalshëm”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore