LDK – një ndër arsyet që intervenimi i NATO-s pati sukses, thotë Clarku

SHFLETO

Wesley Clark

 

Armat Matoshi
23.06.2024 10:35
Loading Icons...

Wesley Clark, gjenerali amerikan në pension, i cili gjatë luftës në Kosovë shërbeu në pozitën e komandantit suprem të aleatëve të NATO-s, vlerësoi se funksionimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë luftës është një ndër aryset pse intervenimi i NATO-s mund të vlerësohet i suksesshëm.

Intervenimi humanitar i NATO-s në vitin 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës, përkundër se përbente rastin e parë në histori që NATO-ja ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Clarku deklaroi se impresionohet secilën herë që viziton Kosovën.

“Ka vetëm një arsye pse intervenimi i NATO-s në Kosovë kishte sukses, ajo quhet LDK… Shpresoj që do të vazhdoni t’i shihni Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”, deklaroi Clarku.

Paraprakisht, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndau dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” për rolin historik dhe kontributin personal të Clarkut në çlirimin e Kosovës. Abdixhiku ritheksoi se emri ish-shefit ushtarak të NATO-s është i ngulitur në themelet e krijimit të historisë së shtetit të Kosovës.

“Gjatë orëve më të rënda të luftës sonë për liri, vendosmëria dhe veprimet tuaja vendimtare i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri. Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta – të njerëzve tanë!”, potencoi Abdixhiku.

Clarku ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s në kohën e bombardimeve të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), që filluan më 24 mars 1999 dhe përfunduan më 10 qershor 1999. Fushata e NATO-s erdhi për shkak të kërcënimit të një katastrofe humanitare.

Për shkak të kontributit në çlirimin e Kosovës, shumë rrugë mbajnë emrin e Clarkut. Megjithatë, përveç shtatoreve, rrugëve e bizneseve, roli i figurave kryesore amerikane që sollën lirinë e Kosovës para 25 vjetësh është shënuar edhe në një mënyrë tjetër, duke pagëzuar fëmijët për nder të tyre.

Kosova sivjet shënoi 25-vjetorin e Lirisë apo Çlirimit – atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, në kuadër të trupave paqeruajtëse të aleancës veriatlantike, filluan marshimin triumfal në Kosovë – pas fushatës 78 ditore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.