Lajme

LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Martin Berishajt


Martin Berishaj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në Zyrat e Prokurorisë Speciale.

Përmes një komunikate për media, LDK-ja ka thënë se ky kallëzim penal është bërë për arsyeje se ambasadori gjatë dëshmisë në komisionin hetimor parlamentar më 17 nëntor të vitit 2022, ka gënjyer.

“Publikimi në medie i transaksioneve financiare të kompanisë së Ambasadorit Berishaj, edhe gjatë viteve 2020-2021 dhe 2022, nxjerrin përfundimin se ai ka konsumuar vepër penale sipas nenit 383 “Deklarimi i rremë nën betim” dhe nenit 384 “Deklarimi i rremë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Kur ka dëshmuar pranë komisionit hetimor parlamentar me 17 nëntor 2022, duke thënë për kompaninë e tij “MB Consulting” “se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020”. Ju kujtojmë se konsumimi i kësaj vepre penale parasheh dënimin deri në 5 vite burgim”, thuhej në njoftimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Ky kallëzim penal ishte paralajmëruar nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj më 23 shkurt.

“Çka është ky zell për ta mbrojtur Martin Berishajt, kur ai ka gënjyer në komision. Ai na ka gënjyer në sy. Prandaj, unë në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni kam detyrim, edhe si parti politike kemi diskutuar, ta procedoj kallëzimin penal nesër për këtë person, në cilësinë e kryesuesit të komisionit parlamentar, sepse gënjeshtra nuk mund të kalojë”.

“Ai ka gënjyer se kompania e tij është mbyllur në vitin 2021, atëherë çfarë ta pyes unë për vitin 2021 e 2022”, kishte thënë Selmanaj në seancë.

Rasti kurioz i Maratin Berishaj 

Në Slloveni ekziston një kompani me emrin GEN-I. Kompania është një ndër më të mëdhatë në rajon për tregtim të energjisë elektrike. Mediat në Slloveni kanë zbuluar se përmes kësaj kompania janë shpërlarë para të taksapaguesve slloven.

GEN-I qendror në Slloveni, hapë filiale në Beograd, Sarajevë, Tiranë e vende të tjera. Më vonë, kompania amë përmes akrobacioneve të ndryshme fiskale u lëshon para degëve të saja për arsye të ndryshme financimi.

Ato para, dalin jashtë shtetit slloven dhe bëhen lehtësisht të manipulueshme. Filialet e kompanisë i shpërlajnë ato duke paguar njerëz si Martin Berishaj. Ai paguhet formalisht për konsulencë, si për shembull nga GEN-I në Beograd me shuma të fryra ku më pas i tërheqë paratë nga xhirollogaria e tij dhe i ridërgon në Slloveni.

Nga aty, të njëjtat dërgohen në bursa e tregjet e ndryshme, kryesisht në Itali. Informacionet e fundit janë se Martin Berishaj me një pjesë të atyre parave ka financuar edhe fushatat elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador.

Media sllovene Prava publikoi të dhëna për transaksione të dyshimta dhe aty zbulohet se bëhet fjalë për afër 100 milionë euro të dërguara nga GEN-I në Slloveni si kompani qendrore në degë dhe filale të ndryshme si në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi e Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore